Greqia, vendi paralizohet nga greva 24 orëshe
Blerina Olldashi
Greqia është përfshirë nga greva e nëpunësve shtetërorë, por edhe e atyre privatë, të cilët kundërshtojnë paketën e masave qeveritare. Vendimi, që parashikon shkurtimin e pagave ka sjellë pakënaqësi masive dhe për pasojë paralizimin e trafikut në aeroporte, mbylljen e shkollave, spitaleve, shërbimet postare dhe ministrive. Probleme, përvec trafikut ajror, janë regjistruar edhe në transportin e brendshëm hekurudhor. Protesta vjen 24 orë pasi qeveria miratoi masat për ngrirjen e rrogave dhe pensioneve, në kuadër të planit të rimëkëmbjes së ekonomisë, që duhet ta çojë deficitin grek nën kuoten 3 për qind brenda vitit 2013.
Greva ka përfshirë gjithashtu zyrat fiskale, doganat, shoqëritë e sigurimeve, bashkitë, prefekturat dhe deri te shkollat e mesme, universitetet, por edhe spitalet. Me parullën “nuk do të paguajmë ne për krizën” organizatat sindikaliste të sektorit publik “ADEDI” dhe atij privat “PAME”, organizuan manifestime të veçanta në Athinë dhe njëkohësisht 65 manifestime të tjera në gjithë Greqinë. “E ndjejmë situatën e vështirë, ndjekim zhvillimet hap pas hapi dhe jemi gati të përballojmë situatat” deklaroi kreu i sindikatës së sektorit publik Spiros Papaspiru, duke paralajmëruar përshkallëzimin e lëvizjes greviste. Nëpunësit shtetërorë u kundërvihen shkurtimeve prej 5 për qind të të ardhurave të tyre, por edhe shtimit të mesatares së viteve për të dalë në pension nga 61,4 në 63,4 vjeç. Masat u shpallën dy ditë më parë me dy reformat e sektorit fiskal dhe sigurimeve sociale për të zbutur problemin akut financiar. Papaspiru tha edhe se sindikatat i cilësojnë masat “të njëanshme” dhe sakrificat “të kota” e që zhysin ekonominë edhe më tepër në recesion. Zyrtarët e Bashkimit shqetësohen se kriza financiare greke do të ndikojë negativisht mbi vlerën e Euros, monedha që përdoret nga 16 vende anëtare të BE-s. Qeveria e drejtuar nga socialistët shpalli plane për të rritur moshën e pensionit gjë që do të kursente para për pensionet. Kryeministri Jorgos Papandreu tha se detyra parësore e qeverisë së tij është shpëtimi i ekonomisë dhe pakësimi i borxhit publik duke mbrojtur njëkohësisht klasën e mesme dhe atë me të ardhura më të ulëta.
BOX i kryesorit
Kriza greke në vëmendjen e shtypit britanik
Situata e krijuar në Greqi është ndjekur dhe komentuar edhe nga mendiat britanike. “The Times” e titullon shkrimin e saj ”Tragjedia Greke”. “Ekonomitë plot borxhe të Europës jugore kërcënojnë stabilitetin financiar të Eurozonës. Nevoja për një shpëtim financiar të ekonomisë ilustron të metat e unionit monetar”. Po në këtë gazetë shkruhet “Stuhi mbi planin për të shpëtuar ekonominë më të dobët në BE”. Në “The Daily Telegraph” shkruhet: “Kush do të jetë ai që do të ketë mend që të shpëtojë marrëdhëniet e varfra të Europës?”. Sipas gazetarit, Euro nuk do të mbijetojë nëse interesat kombëtare të vendeve të BE-së do të mbizotërojnë. “The Indipendent” ka një artikull tjetër “Shpëtoni Greqinë dhe ne ndihmojmë veten”. Gazeta përmend disa vende në botë duke filluar me Britaninë dhe shkruan një përmirësim i dobët, por nuk ka më para për të paguar për ndihmë shtesë. Apo më pas shkon në Europë me titullin “Të ardhurat e ndryshme të Evropës janë debat i vështirë”. Sipas gazetës, tregjet financiare u rritën dhe pas shpresave për një plan shpëtimi për Greqinë.
Masat, sipas gazetës, vijnë në një kohë të vështirë për Greqinë me dy ditë grevash dhe protestash që fillojnë sot nga punëtorë të sektorit publik dhe sindikatave në protestë ndaj programit mjaft të fortë të qeverisë.
11 Shkurt 2010