E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi, pranimet në universitete, Rrokaj propozon ndryshime të reja

Jonida Tashi

Një ditë pas publikimit të ndryshimeve për pranimet e reja në universitete, nga kreu i Arsimit, dalin të tjera propozime për këtë proces. Si gjithmonë, i pari që ka reaguar nga bota akademike, ka qenë dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, i cili ka komentuar dje vendimin e ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, për Maturën Shtetërore, duke paraqitur edhe propozimet e tij për këtë proces. Sipas dekanit të Filologjikut, në procesin e provimeve të Maturës, që pasohet me atë të pranimeve në universitete, duhet të merren parasysh edhe propozimet e bëra nga fakultetet.
Propozimet
Duke i pranuar ndryshimet e bëra nga kreu i Arsimit, për pranimet në universitete, ish rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, propozon që në vargun e ndryshimeve, të rriten koeficientet e lëndëve me zgjedhje. Po ashtu, sipas dekanit të Filologjikut, Matura Shtetërore duhet të ndahet nga procesi i pranimit në universitete. Për këtë, ai propozon që notat e dy provimeve me detyrim të Maturës, që janë Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, të përfshihen në notat e tre viteve të shkollës së mesme, dhe jo të përllogariten si komponent më vete në përcaktimin e fituesve të universiteteve. Një propozim tjetër, i bërë nga dekani Shezai Rrokaj është edhe ndryshimi i mënyrës së korrigjimit të provimeve të maturantëve. “Testet e maturantëve duhet të korrigjohen në mënyrë elektronike. Kjo, jo vetëm për të rritur transparencën e vlerësimit, por edhe për të evituar gabimet e ndryshme në vlerësim, që mund të ndodhin edhe për shkak të mënyrës tradicionale të vlerësimit”,- është shprehur Shezai Rrokaj.
Koeficientet
Koeficientet e lëndëve me zgjedhje, të cilët propozohen nga universitetet vazhdimisht kanë qenë një pikë e fortë debati midis këtyre institucioneve dhe Ministrisë së Arsimit. Çdo degë e shkollës së lartë do të shpallë propozimet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, për të cilat do të kenë dy lloje koeficientesh në dispozicion, të cilat ndonëse nuk janë miratuar përfundimisht, mendohet të jenë nga 1.0 në 1.3. Kështu, megjithëse universitetet kanë të drejtë të propozojnë koeficiente më të lartë për degët e profilit të tyre, vendimi për koeficientet përfundimtarë merret nga Ministria e Arsimit. Për pranimet në universitete, Ministria e Arsimit ka vënë në dispozicion dy lloje koeficientesh që janë: pesë koeficientet e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientet e lëndës (ve) me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë. Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion pesë koeficiente nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilat vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për 2 e më shumë lloje shkollash. Secila nga tri notat e para (nota mesatare dhe dy notat për provimet e lëndëve të detyruara Matematikë e Gjuhë-Letërsi) shumëzohen me koeficientet e vendosura nga dega e fakultetit, respektivisht për llojin e shkollës së mesme që ka kryer kandidati. Gjithashtu, çdo degë e shkollës së lartë shpall parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj, natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të dy koeficienteve të tjera me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këto koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student. Secila nga dy notat e lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientet e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit.

Ekuivalentimi
MASH nxjerr 46 emrat që janë u janë njohur diplomat për muajin shkurt

Ministria e Arsimit publikon 46 emrat e kandidatëve që u ka përfunduar procesi i njohjes së diplomës për muajin shkurt. Ditën e djeshme, Ministria e Arsimit ka publikuar zyrtarisht diplomat e përfunduara, për ditët e para të këtij muaji. Pas publikimit të këtyre emrave, kandidatët që u është ekuivalentuar diploma e huaj edhe në vendin tonë, duhet të paraqiten pranë Ministrisë së Arsimit, për të tërhequr certifikatën e njohjes. Dosja e aplikimit për njohje diplome duhet të përmbajë dokumentet e mëposhtme: formatin e aplikimit të plotësuar; diplomën ose certifikatën ose vërtetimin e diplomimit; listën e notave ose suplementin e diplomës; dokument zyrtar identiteti: fotokopje e pasaportës dhe kartës së identitetit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj; Mandat-pagesën. Tarifa për procedurat e njohjes është 2500 lekë. Dokumentet pranohen origjinalë ose fotokopje të noterizuara. Dokumentet për shtetasit e huaj, duhet të jenë me përkthim të vërtetuar. Të paktën një nga dokumentet bazë që konfirmon diplomimin apo mbarimin e suksesshëm të kursit të studimit që do njihet, duhet të jetë i legalizuar me Vulën Apostille ose nga Ambasada Shqiptare, ose nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë. Në rast pamundësie të marrjes së legalizimit, aplikimi do të pranohet edhe pa dokument të legalizuar dhe do të procedohet sipas përcaktimeve të tjera.

MASH organizon sot Forumin e Parë të Mësuesve Inovativë

Ministria e Arsimit në bashkëpunim me Microsoft do të organizojë sot Forumin e Parë të Mësuesve Inovativë dhe Fushata e Sigurisë së Fëmijëve në Internet. Forumet e Mësueseve Inovativë paraqesin takime dhe gara vjetore të arsimtarëve, të cilat shtrihen në tërë vendin, Europën dhe botën me qëllim që të shpërblejnë mësuesit e jashtëzakonshëm, që përdorin elemente të mësimit të shekullit 21 dhe këto aftësi i fusin në mjedisin mësimor të nxënësve përmes përdorimit inovativ të teknologjisë. Forumi do të organizohet në sajë të një ceremonie shpërblimi të garave dhe ekspozitave të projekteve mësimore pjesëmarrëse në garë, të dorëzuara nga mësues të shkollave fillore dhe të mesme. Pas shpërblimeve të siguruara nga Microsoft, fituesit do të ftohen të përfaqësojnë Shqipërinë në Microsoft Forumin Europian të Mësueseve Inovativë që do të mbahet në Berlin në mars të këtij viti.

11 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›