E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngecje e procesit në Kosovë, “AI” kërkon drejtësi

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International” i ka kërkuar përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë të ndihmojë në vendosjen e drejtësisë lidhur me vrasjen e dy demonstruesve kosovarë nga policia rumune e UNMIK-ut. Reagimi vjen në shënimin e trevjetorit të demonstratës së lëvizjes “Vetëvendosje”, ku gjatë përballjes me policinë humbën jetën Mon Balaj dhe Arben Xheladini, ndërsa u plagosën disa të tjerë. Duke shprehur shqetësim për mosndëshkimin e autorëve të vrasjes së dy demonstruesve në Kosovë, “Amnesty International” i kërkon misionit të OKB-së që të sigurojë qasje tek drejtësia dhe kompensim monetar për familjarët e viktimave. Organizata thotë se Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së dhe Zyra Ligjore e UNMIK-ut kanë penguar vendosjen e drejtësisë në vend për vrasjen e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit dhe plagosjen e dy personave tjerë dhe kërkon që ankesat lidhur me këtë çështje të dëgjohen nga Komisioni Këshillimor për të Drejtat e Njeriut. Në demonstratën e tre vjetëve më parë në Prishtinë kundër planit për statusin e Kosovës, Balaj dhe Xheladini u goditën me plumba gome nga njësiti rumun i policisë së Kombeve të Bashkuara, ndërsa disa persona tjerë mbetën të plagosur. Lëvizja “Vetëvendosje” që organizoi demonstratën përkujton të mërkurën viktimat, ndërsa familjarët e tyre dhe organizatat për të drejtat e njeriut vazhdojnë të kërkojnë masa penale ndaj autorëve.

11 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›