E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, Vlorë, vonohen tragetet nga moti i keq

DURRËS-“Kushtet atmosferike në gjirin detar të Durrësit sot do të jenë të paqëndrueshme”, bënë të ditur burime zyrtare nga kapiteneria e portit, sipas të cilave reshjet që kanë nisur mbrëmjen e kaluar do të vijojnë gjatë gjithë ditës.

Deti i trazuar me forcë 6 dhe era e fortë me drejtim nga jugu kanë penguar natën e kaluar nisjen e trageteve “Ionis” dhe “Riviera del connero” drejt portit të Barit (Itali).

Tragetet janë nisur vetëm sot në orët e para të mëngjesit, duke shënuar një vonesë prej 7-8 orë-shtuan burimet e kapitenerisë.

Ndërkaq tragetet “Rigel” dhe Riviera Adriatica” kanë mbërritur nga Bari në Durrës në orarin e parashikuar. “Të gjitha motopeshkatoret e sektorit të Durrësit janë rikthyer në portin detar për shkak të motit të keq”, vijuan burimet e kapitenerisë.

Sipas të njejtave burime, era do të vahdojë të fryjë e fortë me shpejtësi 15-17 metra në sekondë. “Reshjet e shiut dhe era e fortë do të pengojnë veprimtarinë e ngarkim- shkarkimit të anijeve tregtare në portin më të madh të vendit”, përfunduan burimet.

Vlorë
Reshjet e shiut që kanë nisur prej mbrëmjes së të premtes, do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës pa ndërprerje në gjirin detar të Vlorës. Kjo tablo sinoptike, rrjedhojë e pëfshirjes së rajonit në një zonë me presion atmosferik të ulët, do të shoqërohet me një rritje të lehtë të vlerave të temperaturave, krahasuar me ato të një dite më parë.
Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur paraditen e sotme është vonuar trageti i linjës Vlorë-Brindisi.

Parashikohet që sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Juglindje, me shpejtësi nga 4-6 deri në 6-8 m/sek në afërsi të bregut të detit.
Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 8-10 gradë celsius dhe ato minimale nga 4-6 gradë celsius. Valëzimi në hapësirën detare brenda gjirit të Vlorës parashikohet të arrijë 1-2 ballë dhe në det të hapur 4-5 ballë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›