E Diel, 1 Nëntor 2026

Lieberman-Berishës: Izraeli do hapë ambasadë në Tiranë

JERUSALEM- Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Izrael është takuar edhe me ministrin izraelit të Punëve të Jashtme z. Avigdor Lieberman. Gjatë një darke të shtruar për nder të delegacionit shqiptar, Liberman i ka komunikuar kryeministrit Berisha, lajmin se së shpejti Izraeli do do të hapë ambasadën e tij në Tiranë.

Gjatë darkës u vlerësua vizita e kryeministrit Berisha si një kontribut i rëndësishëm në zgjerimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe bashkëpunimit midis dy qeverive e vendeve.

BERISHA TAKON PRESIDENTIN SHIMON PERES
Në nisje të vizitës së tij zyrtare në Jerusalem, Kryeministri Berisha u prit në një takim nga Presidenti i Izraelit, Shimon Peres.
Presidenti Peres, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike midis të dy vendeve, si dhe e cilësoi këtë vizitë të kryeministrit si një kontribut tjetër për zgjerimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre.

Presidenti Shimon Peres vlerësoi si shembull modelin e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare që ekziston në Shqipëri, e veçanërisht, për ndjenjat miqësore ndaj popullit hebre. Ai i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e kombit dhe shtetit të tij për qëndrimin e qeverisë shqiptare në favor të paqes e sigurisë në këtë rajon.

Ndërsa kryeministri Berisha risiguroi Peres për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, në veçanti në fusha si ato të bujqësisë, arsimit, turizmit, energjetikës, teknologjisë së informacionit, etj.

Në përgjigje të interesit të Presidentit Peres për progresin në Shqipëri, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe arritjeve të rëndësishme në një sërë fushash.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Peres të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u prit me kënaqësi.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›