E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana rigjen fitoren, Vllaznia s’di të ndalet

 

I kanë mjaftuar 24 orë trajnerit të ri të Tiranës, Agustin Kola, të shënojë fitoren e parë në kampionat, teksa skuadra triumfoi thellë ndaj Apolonisë së Fierit me rezultatin 3-0, në një ndeshje të dominuar nga fillimi e deri në fund. Në këtë mënyrë, bardheblutë rikthehen tek fitorja pas tri javësh. Daniel Xhafaj, lojtari më i kritikuar dhe më pak i dëshiruar në kampin bardheblu, ai që hapi serinë e golave në të 25’-ën, ndërsa Muzaka pati rastin ideal në minutën e 40-të për të dyfishuar, por gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit. Pjesa e dytë foli krejtësisht për Tiranën, ku Xhafaj shënoi që në fillim golin e dytë personal, ndërsa në minutën e 63-të i vuri vulën fitores Andi Lila.
Vllaznia-Flamurtari 1-0
Ka qënë një fitore e vështirë e skuadrës së Vllaznisë, ditën e djeshme, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, përballë Flamurtarit. Në fakt një gol i ganezit Xhejms Boadu ka mjaftuar që kuqeblutë të merrnin edhe tri pikë të tjera dhe për të vazhduar të ruajnë diferencën me skuadrat e tjera ndjekëse të tyre. Minuta e dytë do të sillte avantazhin për shkodranët, përballë vlonjatëve në një ndeshje, e cila u zhvillua jashtë të gjitha kushteve dhe standardeve normale për të zhvilluar një 90 minutësh. Kjo erdhi për shkak të terrenit tepër të rënduar të fushës së stadiumit të Shkodrës, ku reshjet e shiut nuk ishin ndërprerë në 24 orët e fundit.
Elbasani-Dinamo 2-2
Elbasanit dhe Dinamo kanë ndarë sërish nga një pikë në ndeshjen e zhvilluar dje në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”. Takimi i djeshëm është kontestuar shumë nga ana e skuadrës së Elbasanit e cila e ka pasur të gjithë inatin me gjyqtarin e ndeshjes Sokol Jareci si edhe me asistentin e tij. Në fakt gjithçka e ka marrë spunton nga fakti se Jareci ka dhënë një penallti në pjesën e parë pas një ndërhyrje të Osmanit ndaj Diopit. Elbasani e nisi shumë mirë ndeshjen me golin e Fagut, por më pas humbën disa raste duke u ndëshkuar më vonë me penalltinë e diskutueshme që e ktheu në gol Poçi. Sefa shënon golin e dytë të Dinamos, ndërkohë që në minutën e fundit Vrapi do të barazonte shifrat në 2-2.
Besa-Shkumbini 2-0
Kavajasit janë rikthyer te fitorja, duke mundur pastër Shkumbinin me rezultatin 2-0. Për peqinasit kjo ishte disfata e dytë radhazi, pas humbjes që pësuan me Teutën një javë më parë. Ekipi i drejtuar nga Ilir Daja ka arritur objektivin e tij, duke marrë tri pikët që përmirësojnë pozitën e tyre në renditje. Kjo fitore gjithashtu i ishte premtuar tifozerisë kavajase. Me këtë sukses verdhezinjtë arrijnë të “hakmerren” kështu kundër Shkumbinit, ndaj të cilëve humbën fazën e parë në Peqin me të njëjtin rezultat, 1-0. Gjatë gjithë 90-minutëshit, ndeshja ka qenë mjaft e tensionuar nga ana e të dyja palëve gjë të cilën e tregon edhe numri i kartonëve: 7 të verdhë dhe 2 të kuq.
Partizani-Teuta
Barazim në “errësirë”. Kështu mund të konsiderohet rezultati i ndeshjes së djeshme mes Partizanit e Teutës, fiksuar në shifrat e bardha pa gola, 0-0, kur për 20 minuta është luajtur pa u parë asgjë në fushën e lojës. Sepse koha e keqe dhe shiu që binte e ka bërë të vështirë pamjen në fushën e lojës, por, gjithsesi, nuk u kujdes asnjë për të hapur prozhektorët e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Në anën teknike, Partizani dje meritonte më tepër se barazimi, por ka qenë i pafat, teksa Vashaku është bërë i pakalueshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›