Greva: “Titulli i vështirë, por s’dorëzohemi”

Ekipi i DHL-së në basketboll për femra do të nisë të mërkurën rrugën për titullin kampion ku kundërshtare do të ketë Flamurtarin. Kryeqytetaset arritën t'i fitojnë të dyja takimet gjysëmfinale të play off-it me Tiranën e Alibegaj. Vetëm pak ditë nga vërshëllima e finales së parë trajneri i DHL-së Astrit Greva pohon se dëshira e tij si drejtues, por edhe e basketbollisteve është që të përfaqësohen denjësisht ndaj vlonjateve. "Për ne ky sezon është shumë i vecantë, pasi vetëm dy vite nga krijimi ynë si qendër minibasketi e shikojmë veten në finale për herë të parë. Dhe kjo është dicka shumë e bukur. Në gjysëmfinalet e play off-it arritëm të fitojmë bindshëm me Tiranën dhe të kualifikohemi matematikisht në finale. Sigurisht që me Flamurtarin do ta kemi të vështirë. Vlonjatet kanë në gjirin e vet sportiste me shumë përvojë, gjithashtu të mos harrojmë se kjo skuadër është edhe me shumë tradita në basketboll. Ne jemi një ekip me moshë shumë më të re se finalistja tjetër dhe kjo do të jetë një minus për DHL-në. Megjithatë ambicia për të zhvilluar një lojë dinjitoze nuk do të mungojë në radhët e basketbollisteve tona. Në të gjitha finalet vajzat do të zbresin si rivale të denja në parket. Do të donim shumë që të fitonim një takim këtu në Tiranë dhe të tregojmë që në kampionatin kombëtar më në fund ka filluar rivaliteti. Por edhe me kaq jemi shumë të lumtur", u shpreh për ‘Panorama Sport', trajneri i ekipi i DHL-së në basketboll për femra, Astrit Greva. Në sezonin sportiv 2007-2008 DHL-ja u rendit e dyta pas Flamurtarit të vendit të parë.