E Diel, 1 Nëntor 2026

Hafizi-Zhega: “Han, vazhdo revolucionin Baric!”

Dy ish-trajneret e ekipit tonë kombëtar, Astrit Hafizi dhe Mehdin Zhega, vlerësuan deklaratat e dhëna nga trajneri i përfaqësues, holandezi Ari Han në edicionin sportiv "Ora Sport" të televizionit informativ "Ora News".
Hafizi, rekordmeni shqiptar me kombëtaren përsa i përket numrit të ndeshjeve (25), pohoi se ekipi kuqezi duhet të rinovohet, duke vlerësuar edhe këndëvështrimin e ish-trajnerit të Kamerunit, për mënyrën se ai e shikon Kombëtaren e tretë gjatë karrierës së tij.
"Unë mendoj se Ari Han tashmë ka hyrë në brendësi të kombëtares Shqiptare", - tha Hafizi, i cili drejtoi gjatë këtij sezoni për disa javë Tiranën. "Ai me siguri që, tashmë njeh disa lojtarë dhe ka ide te qarta". Hafizi, i cili e morri Kombëtaren shqiptare pas dorëheqjes së Neptun Bajkos, njihet si një njeri me vizion. "Përsa i përket revolucionit që edhe ai (Han) përmendi, mendoj se kjo duhet të ishte bërë më perpara se sot. Gjithsesi, ka ende kohë për trajnerin Ari Han për ta bërë një gjë të tillë", - theksoi Hafizi, i cili arriti 4 fitore në 25 takime. Ish-trajneri i Vllaznisë është i një mendje me ish-trajnerin e Kinës për ra i përket kërkimit të lojtarëve të rinj në kampionatet e huaja, duke pranuar njëherësh edhe nivelin jo të kënaqshëm të kampionatit tonë. "Të jemi të sinqertë, kampionati ynë nuk është në nivelin e duhur dhe të gjithe ne trajnerët e dimë se baza e Kombëtares duhet të jenë elementët, që luajnë jashte vendit", - thotë Hafizi. "Sigurisht, që edhe këtu ka lojtare cilësorë, të cilët janë evindentuar, por mendoj se të luash jashtë ka të tjera kushte stërvitje. Është më e mirë pavarësisht nëse ata aktivizohen rregullisht me ekipet ku luajnë".
Edhe pasuesi i Hafizit në stolin kuqëzi, shkodrani tjetër Mehdin Zhega (13 ndeshje, 6 fitore) u shpreh se ka ardhur koha, që Kombëtarja të ketë një ekip të rinuar. "Ari Han duhet të vazhdojë rrugën e nisur nga Oto Baric". Kroati, i cili pasoi nga ana e tij gjermanin Hans Peter Brigel, largoi disa nga titullarët, përfshirë edhe dy kapitenët e përfaqësueses, Igli Taren e Besnik Hasin. "Unë mendoj se ne duhet të ndërtojmë një skuadër për të ardhmen, pavarësisht se tifozët tanë duan që ne të jemi ne vendin e tretë apo të katërt në grup". Zhega, një gjermanishtfolës bisedoi për më shumë se 90 minuta në "Qemal Stafa" me ish-nënkampionin e botës, kur Han ndoqi derbin Partizani-Tiranën (2-1). "Han në derbi ndoqi nga afër jo vetëm Bakajn (Partizani) e Hukën (Tirana), por dhe Dhembin e Muzakën, Duron e disa lojtarë të tjerë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›