E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trasha: “Nuk e diskutoj podiumin në Botëror”

"E them me shumë bindje se nuk do të kthehem pa medalje nga Botërorin i të rinjve dhe pa ngritur lart flamurin shqiptar". Ky është objektivi i radhës për olimpistin kuqezi Gerti Trasha. Vetëm pak ditë pasi ka prerë biletën për në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" dhe e dyta Olimpiadë në CV-në e tij sportive, Gerti Trasha e ka prenotuar podiumin e ardhshëm. Dhe ajo do të jetë gara e Calit të Kolumbisë, por jo e vetmja për vitin 2008-të. Në aventurën e tij të fundit në pedanën evropiane të Linjanos, shqiptari Trasha u rendit i teti duke ngritur 304 kg në dy garësh. Trasha pohon se megjithatë rezultati që mori në Itali nuk ishte maksimumi i tij. "Kampionati Europian i Linjanos ka qenë një garë kualifikuese dhe synimi im ishte pikërisht kualifikimi. Dua të them se rezultati i arritur atje realisht që nuk ka qenë maksimumi im, por mendoj se ishte shumë i mirë. Tani unë kam përpara Kampionatin Botëror të të rinjve. Jam shumë i sigurt se në Kolumbi do të jem mes të më mirëve. Për këtë aktivitet po zhvilloj një program stërvitor intensiv", bëri të ditur Trasha për gazetën. Megjithatë goditja e fundit për këtë sezon për Trashën do të jetë Olimpiada e Pekinit. Mes shumë konkurentëve nga e gjithë bota shtangisti i kategorisë 69 kg jep besën se edhe atje nuk ka për të zhgënjyer. "Gjithashtu një objektiv tjetër i madh për mua do të jetë Olimpiada ku atje do të jap të gjithë maksimumin tim. Ashtu sic e dinë të gjithë për mua këto janë Lojërat e dyta Olimpike ku unë marrë pjesë dhe shpresoj shumë se do të renditem mes gjashtë peshëngritësve më të mirë në botë", përfundoi Trasha. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Federatës Shqiptare të Peshëngritjes u vendos që Gerti Trasha dhe Erkand Qerimaj të përfaqësojnë Shqipërinë në Pekin. Drejt Azisë me dyshen e shatngistëve do të udhëtojnë edhe trajnerët tyre, Genc Barkici dhe Hektor Shaqiri.
Olgert Serani (Panorama Sport)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›