Zhega: Shqetësimi i Hanit, talentet dhe miqësoret

Jetmir Halilaj
Ari Han po përgatitet të bëjë një revolucion në Kombëtaren shqiptare, pavarësisht se në deklaratat për median ai është përpjekur të jetë i ekuilibruar, madje duke përdorur edhe fraza të tipit: "Do t'ua jap një shans edhe të vjetërve". Qëllimi i tij kryesor është që të gjejë futbollistë të rinj të talentuar për t'i dhënë freski ekipit dhe për të krijuar një skuadër sa më solide. Këtë e pohon edhe ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Medin Zhega, i cili zhvilloi një bisedë të gjatë me holandezin gjatë kohës që të dy ndodheshin në tribunën VIP, pranë njëri-tjetrit, në derbin Partizani-Tirana 2-1 që u luajt të shtunën. Në një intervistë për "Panorama Sport", Zhega tha se Ari Han i kishte lënë përshtypje të mira dhe vlerësoi maksimalisht përkushtimin e holandezit edhe kundrejt lojtarëve të kampionatit shqiptar.
Zhvilluat një bisedë të gjatë me trajnerin gjatë ndeshjes, për cfarë diskutuat?
Për futbollin dhe vecanërisht për futbollin shqiptar. Ishte një takim krejt rastësor me Hanin dhe mund të them se më pëlqeu thjeshtësia e tij dhe mënyra e hapur e komunikimit. Biseduam për mënyrën se si po luanin skuadrat dhe trajneri e vlerësoi ndeshjen si pozitive, por ai shfaqi edhe rezervat e tij.
Në lidhje me cfarë?
Në lidhje me mënyrën se si luajtën skuadrat, pra sipas tij luajtën shumë hapur, ekipet gabuan ca si tepër në pasimet teknike dhe njëkohësisht rrezikuan shumë që të dyja. Ai pohoi se me ato hapësira që u krijuan mund të kishte pasur më tepër gjuajtje në drejtim të portës. Megjithatë, në vija të përgjithshme mbeti i kënaqur, pasi sfidës nuk i mungoi ritmi deri në fund.
Po për Kombëtaren a folët?
Po, padyshim, sepse ai për atë qëllim ishte të shtunën në stadium, pikërisht për të parë disa nga lojtarët e Kombëtares. Megjithëse nuk folëm për emra konkretë, ai mbeti i kënaqur nga forma e disa prej lojtarëve që janë pjesë e përfaqësueses.
Cfarë ishte ajo që e shqetësonte më tepër Ari Hanin, ose më saktë në c'aspekt ishte i prirur ai për të punuar intensivisht?
Han është një njeri i matur dhe i tillë u tregua edhe në bisedën që patëm. Megjithatë, me aq sa vura re, ai është përqendruar në gjetjen e talenteve të reja, që të mund t'i fusë në skuadër me qëllim që ta rinovojë atë. Një tjetër aspekt ku është fokusuar është edhe zhvillimi i sa më shumë ndeshjeve miqësore në muajt që kanë mbetur. Ai dëshiron të bëjë sa më tepër eksperimente që ta konsolidojë ekipin për edicionin e ardhshëm. Madje e pohoi edhe vetë se do të punojë maksimalisht gjatë kësaj kohe për të gjetur lojtarë të rinj, të aftë për të veshur fanellën e përfaqësueses, por edhe të zhvillojë sa më shumë ndeshje miqësore.
Ju jeni një specialist në fushën e futbollit, aq më tepër që në të kaluarën keni drejtuar edhe Kombëtaren. Cfarë mendoni se duhet të bëjë Han në të ardhmen për të arritur rezultate më të mira se dy paraardhësit e tij, Brigel dhe Baric?
Sipas mendimit tim, Kombëtarja ka nevojë emergjente për ndryshime, pra për rinovim. Për ta bërë këtë duhet gjithashtu edhe një seleksionim serioz i talenteve të reja, që më pas duhet të ndërthuren edhe me eksperiencën e disa prej lojtarëve që janë pjesë aktuale e skuadrës.
4
ishin futbollistët e Kombëtares shqiptare që la jashtë Oto Baric. Ai vendosi të mos grumbullonte më Florian Myrtajn, Edvin Muratin, Igli Taren dhe Besnik Hasin. Të njëjtën gjë pritet që të bëjë edhe Han, ku ndër më të rrezikuarit janë Dede, Bushi dhe Haxhi.
Problemi
Trajneri nuk ka drejtuar asnjë ndeshje të përfaqësueses shqiptare që nga koha kur është ulur në krye të pankinës kuqezi. Ekipi ynë kombëtar nuk mundi t'i luante dot dy miqësoret e muajit mars kundër Arabisë Saudite dhe kundër Moldavisë për shkak të pezullimit të Shqipërisë nga FIFA.
Lista
Gjatë ditëve të ardhshme pritet që Ari Han të paraqesë në Federatën Shqiptarë të Futbollit listën me 22 emrat e lojtarëve që do të grumbullohen për ndeshjen kundër Polonisë. "Deri tani kam përpiluar një listë me 26 emra, por në ditët e ardhshme ajo do të reduktohet në 22 emra dhe më pas do të publikohet", bëri të ditur Han.
Largimi
Ari Han është larguar dje nga Shqipëria. Tekniku i është drejtuar aeroportit të Rinasit në orën 13:00 për të udhëtuar drejt Gjermanisë. Në derbin e ardhshëm mes Partizanit dhe Dinamos, ka shumë gjasa që të jetë i pranishëm asistenti i tij, Jakob Teodorus De Jong.
Kundërshtarë/ "Takimi" i parë në Tirana-Ajaks 2-2
Ky nuk ishte takimi i parë mes Ari Hanit dhe Medin Zhegës, pasi për të parën herë me njëri-tjetrin të dy trajnerët janë përballur kur ata ishin futbollistë. Gjithcka ka ndodhur më 16 shtator të vitit 1970, kur Ajaksi zbarkoi në kryeqytetin shqiptar për të luajtur kundër 17 Nëntorit të dikurshëm takimin e vlefshëm për Kupën e Kupave. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2, madje Zhega shënoi një nga golat e bardhebluve në atë ndeshje. "Folëm me Hanin edhe për këtë, por sigurisht që nga ajo ndeshje ai mbante mend vetëm rezultatin, pasi që prej atëherë kanë kaluar 38 vjet", rrëfen Zhega. Në takimin e kthimit, Tirana u mund me rezultatin 1-0 nga holandezët.
Rinovimi/ Në gjurmët e Baricit
Trajneri i Kombëtares shqiptare ka pohuar se do të ketë ndryshime të rëndësishme në ekipin përfaqësues gjatë muajve të ardhshëm. Ai tha se ato do të vihen re që në listën që ai do të publikojë për ndeshjen kundër Polonisë. Holandezi po përgatitet seriozisht që të rinovojë skuadrën kombëtare të Shqipërisë dhe padyshim që do të ketë edhe të larguar. Të njëjtën gjë bëri edhe Oto Baric, i cili menjëherë pas dy ndeshjeve të para eliminatore la jashtë skuadrës disa emra të njohur.