E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, Topi: Të zgjidhet problemi i banorëve

Tiranë- Sistemim në kushte normale dhe dëmshpërblim të menjëhershëm për banorët e pallatit të shembur në Gjirokastër. Me këtë deklaratë Presidenti i Republikës, Bamir Topi i është drejtuar sot strukturave qeveritare dhe atyre vendore për të zgjidhur sa më shpejt problemin e mprehtë të banorëve, që prej 4 ditësh janë në grevë urie.

Përmes zëdhënëses, Topi ka deklaruar se po ndjek me një shqetësim të veçantë grevën e urisë së banorëve të pallatit të shembur para disa javësh në Gjirokastër, të cilët janë ngujuar në këtë grevë, pasi prej kaq kohësh nuk po gjejnë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare që u është premtuar për sistemim dhe dëmshpërblim si pasojë e një tragjedie, e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre.

“Presidenti i Republikës inkurajon strukturat e qeverisë dhe të pushtetit vendor, që të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur sistemimin e këtyre familjeve, të cilat kanë të drejtën legjitime për dëmshpërblim dhe për t’u sistemuar në kushte normale”- thuhet në deklaratën për shtyp.

Nga ana tjetër, kreu i shtetit ka inkurajuar edhe një herë vazhdimin e punës së institucioneve përkatëse për zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të kësaj tragjedie dhe ndëshkimin e tyre ligjor.

Përshkallëzohet greva e banorëve, hyjnë edhe gratë

Kanë hyrë edhe gratë sot në grevë urie, në mbështetje të kryefamiljarëve që e nisën grevën 4 ditë më parë. Ata janë vendosur sot nën rrënojat e pallatit

Ora.11.40

Tiranë-Kanë hyrë edhe gratë sot në grevë urie, në mbështetje të kryefamiljarëve që e nisën grevën 4 ditë më parë. Ata janë vendosur sot nën rrënojat e pallatit, duke lënë garazhin ku qendronin deri dje. Banorët e pallatit të shembur të indinjuar për neglizhencën e qeverisë për dëmshpërblimin e tyre tregojnë vendosmëri, duke qendruar në grevë urie, edhe pse disa prej tyre kanë patur probleme shëndetësore.

Greva e urisë merr përmasa më të mëdha, sot janë bërë 15 persona, mes tyre 5 gra. Pritet që edhe banorë të tjerë ti bashkangjiten grevës.

Ata kërkojnë nga qeveria dëmshpërblim për apartamentet e humbura si pasojë e shembjes së pallatit të tyre një muaj më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›