E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva akt terrorist i mbeshtetur nga politikane qe ndajne trafiqet

Kryeministri, Sali Berisha e ka cilësuar si një akt terrorist grevën e ish-të përndjekurve politikë. Në vlerësimin e kreu të ekzekutivit kjo grevë u mbështet vetëm nga politikanët që ndajnë trafiqet me ta. 
“Garantoj qytetarët se jam i hapur për dialog konstant për zgjidhjen e problemit. Ajo që u zhvillua në studion e Kristaq Ramës ishte një parodi e shëmtuar që s’kishte të bënte me kërkesat e ish të-përndjekurve dhe ish-të burgosurve politikë. Ajo ishte larg tyre , kishte një distancë me vite e vite, pikërisht në këtë qëndron arsyeja që atë e përkrahën politikanë që ndajnë trafiqet me ta. Zero përkrahje nga shtresa e madhe e të përndjekurve. Ishte një akt i shëmtuar, një grevë e paguar dhe e shoqëruar me akte të mirëfillta terroriste, u përdor benzina”, deklaroi Berisha.  Madje, kjo grevë dhe aktet që shoqëruan atë, sipas Berishë, ndodhën në një moment të rëndësishëm historik për vendin, duke u munduar që të pengojnë progresin e vendit.  “Duhej t’i vinin zjarrin ditën që KE do të rekomandonte statusin. Nuk kishte akt më të shëmtuar. Ora e Bushit u tejkalua me jetë njerëzore që do digjeshin të gjalla vetëm e vetëm për t’u penguar shqiptarëve një akt të merituar nga Brukseli. Organizatorët e grevës përzgjodhën figura të inkriminuara. Trafikanti Bejko që vendosi të bëhej hero ishte ndaluar me 30 kg drogë. Nëntë vjet kishte kërkuar organi i akuzës, e liruan Tabakët e KLD-së me ndërhyrje të fortë. Është në dinjitetin më të madh të mijëra e mijëra të përndjekurve politikë e familjarëve të tyre që qoftë dhe ëpr një minutë të vetme nuk u dezorientuan, por qenë të parët që kuptuan se gjithçka ishte e organizuar për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Dhe vizitat e tij natën dhe furnizimet nga klubi ngjitur, që të gjitha ishin në funksion të asaj karrigeje, ku me “sadukët” nuk do të ulet kurrë”, nënvizoi Berisha.  Sipas shefit të qeverisë, qeveria ndjek me shqetësim problemet e qytetarëve, por ajo nuk mund të pranojë shantazhin e askujt.  “Nuk do të mund të shpërblejë aktet terroriste veçse me ashpërsinë e ligjit. Qeveria do të bëjë gjithçka për të dëgjuar zërin e  të përndjekurve politikë. Amendamente të tjera janë dërguar në parlament dhe janë shumë të drejta dhe përsëri u deklaroj shqiptarëve se qëndrimi ndaj të përndjekurve është madhor e moral, pasi kanë djegë lumenj djerse, kanë ndërtuar lagje të tëra të këtij qyteti ku jetojmë sot dhe në qytete të tjera. Kanë punuar 45 vjet, janë kalbur në punëra nga më të rënda. Ne do të bëjmë dëmshpërblimin e tyre sipas ligjit, do të shtojmë dhe kategori të tjera”, tha Kryeministri.  Ndërkohë që kreu i qeverisë u ndal dhe në një tjetër çështje e lidhur me dëmshpërblimin. “Floririn nuk e kthejmë, por vitet e burgut që të gjitha do t’u njihen të ashtuquajturve kontrabandistë të floririt të cilët ishin tregtarë të ndershëm dhe një ditë ua konfiskuan në mënyrën më të paligjshme. Dënimet brenda burgjeve që të gjitha do të rishqyrtohen. Ato ishin përpjekje kundër regjimit të paligjshëm. Qëndrimi ynë është ndër më seriozët, bazohet në një moral dhe vendosje të të drejtës në këtë vend. Ai ka si synim vendosjen e paqes sociale dhe procesi do të vazhdojë. Jam këtu për të garantuar të përndjekurit se brenda 2017-ës do të ketë ndodhur dhe do të jetë realizuar plotësisht dëmshpërblimi i tyre”, garantoi Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë.  Një tjetër çështje e trajtuar në këtë mbledhje ishte dhe panorama shqetësuese që shfaq krimi në familje. Për këtë arsye, Kryeministri propozoi dënimin me burg të përjetshëm për të gjithë autorët që do të tentojnë të kryejnë krime të tilla.  “Krimi në familje është rritur me shpejtësi të madhe. Nqs vrasja e bashkëshortes pothaujse ka qenqë inekzistente, sot për fat të keq kjo është jo e rrallë dhe është akt tmerrësisht i shëmtuar. Kemi bërë dhe bëjmë përpjekje, por përpjekjet duhet të jenë shumë më të mëdha. Duke pasur parasysh dallimin e qartë në agresivitet mes dy gjinive, mendoj se mund të vendoset dënimi përjetë për të gjithë ata  të cilët e shtyjnë krimin gjer në një kufi të paimagjinueshëm të tillë. Le të na frymëzojë kjo konventë për të përcaktuar shkallën më të lartë në kodin tonë penal, për të gjithë ata që ngrenë hanxharin e krimit kundër bashkëshortes e vajzës dhe në tërësi gjë e cila përbën formën më ekstreme të krimit. Për tre vepra penale, vrasja e policëve, hakmarrja dhe vrasja e bashkëshortit vajzës dënim përjetë”, vuri në dukje Berisha.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›