Meta bën thirrje për dialog: “Greva është një barrikadë artificiale”
Eljona Ballhysa
Numri dy i qeverisë, Ilir Meta, i ka bërë thirrje dje Partisë Socialiste që të reflektojë dhe të futet në dialog me maxhorancën. Sipas Metës, PS-ja duhet të heqë dorë nga alternativat bllokuese, siç është greva e urisë, por të ulet në bisedime pasi ka hapësira të mjaftueshme për transparencën e zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën e vendit. Zëvendëskryeministri është shprehur dje në një konferencë për shtyp se është momenti që drejtuesit e Partisë Socialiste të marrin më shumë përgjegjësi për të kaluar këtë situatë që, sipas tij, nuk i shërben askujt në këtë vend.
Thirrja
“Do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për t’iu drejtuar drejtuesve të Partisë Socialiste, atyre që janë jashtë grevës, që të marrin më shumë përgjegjësi për të tejkaluar këtë situatë, e cila nuk mendoj se i shërben dikujt në këtë vend. Duhen evituar alternativat që janë bërë publike për të zgjedhur midis jetës apo vdekjes, sepse unë besoj se të gjithë në këtë vend kanë zgjedhur alternativën e integrimit europian, ku besoj se kjo është një zgjedhje edhe e Partisë Socialiste”, - është shprehur Meta. Ministri i Punëve të Jashtme, duke iu referuar proceseve integruese të vendit dhe liberalizimit të vizave, u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm për vendin kur të gjitha palët duhet të japin kontributin e tyre. “Besoj se duke qenë një moment i rëndësishëm për vendin, por edhe një moment kur të gjithë duhet të investojnë në mënyrë pozitive, unë jam i bindur se ekzistojnë hapësira të mjaftueshme për t’i zgjidhur dhe për t’i trajtuar në mënyrën më demokratike dhe më transparente, por edhe duke respektuar Kushtetutën e vendit, kërkesat dhe pretendimet e Partisë Socialiste edhe të opozitës. Ndaj do t’i ftoja edhe njëherë të marrin më shumë përgjegjësi, në një moment kur nga ana e maxhorancës dhe qeverisë është bërë i qartë vullneti për dialog. Natyrisht, kjo duhet të ndodhë duke evituar përpjekje që kërkojnë të krijojnë barrikada të panevojshme, ndërkohë që mundësitë e dialogut jo vetëm që nuk kanë shteruar, por e theksoj që ka hapësira të mjaftueshme duke kombinuar transparencën dhe respektin për Kushtetutën e vendit”, - është shprehur Meta.
I pyetur nëse maxhoranca ka ndonjë zgjidhje për situatën e ndërlikuar politike, Meta tha se zgjidhja është bërë e qartë që transparenca duhet të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën. Dhe në këtë drejtim, sipas tij, PS-ja i ka të gjitha hapësirat për të bërë transparencën e mjaftueshme në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit. “Unë mendoj se zgjidhja është bërë e qartë; duhet respektuar kërkesa dhe parimi i transparencës, natyrisht në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe parimet e shtetit të së drejtës. Unë besoj se në këtë kombinim ekziston një hapësirë e mjaftueshme dhe jam i bindur që greva nuk ndihmon në ecjen përpara, përkundrazi, ajo krijon një barrikadë do të thosha artificiale”, - është shprehur Meta.
5 Maj 2010