E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e doganierëve grekë bllokon qarkullimin në Kakavijë për 48 orë

GJIROKASTËR – Duke filluar që nga ora 23:00 e ditës së sotme, përgjatë 48 orëve do të bllokohet qarkullimi i mjeteve të të gjitha llojeve përmes pikës doganore të Kakavijës. Shkak për këtë është bërë greva e doganierëve grekë. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Kufirit në Policinë e Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se të gjitha pikat kufitare që lidhin shtetin shqiptar me atë grek, në qarkun e Gjirokastrës, do të jenë të bllokuara për 48 orët e ardhshme për të gjitha automjetet, por do të jenë të lira vetëm për këmbësorët. “Për shkak të grevës që doganierët e doganës në palën greke do të zhvillojnë për dy ditë rresht, të gjitha pikat e kalimit të kontrollit kufitar që mbulon Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër dhe konkretisht: Pika e Kalimit Kufitar Kakavijë, Tre Urat Çarshovë dhe pika e Sopikut, që prej datës 03.02.2010, ora 23:00 deri më datën 05.02.2010, ora 23:00, nuk do të funksionojnë për automjetet, por vetëm për këmbësorët”, – bën të ditur Drejtoria e Kufirit në Gjirokastër. Gjithashtu kjo drejtori u bën thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar lëvizjet për në shtetin grek në këto data, të marrin masa për të anuluar dhe mos lëvizur në drejtim të këtyre pikave, për të mos krijuar konfuzion dhe radhë në këto pika.

3 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›