Ish-pronarët, kundër legalizimit me letra me vlerë dhe krijimit të Fondit të Kompensimit
Shoqata “Pronësi me drejtësi” akuzon qeverinë për mosdëmshpërblim
Eljona Ballhysa
Shoqata “Pronësi me drejtësi” e pronarëve të ligjshëm, tokat e të cilëve janë shpërndarë nëpërmjet Ligjit 7501 ose janë zënë nga ndërtimet pa leje, kanë reaguar dje duke hedhur akuza kundër qeverisë për mungesë dëmshpërblimi. Myrshit Vorpsi, gjatë një konference për shtyp gjatë ditës së djeshme, bëri të ditur se qeveria gjatë vitit 2008 ka nxjerrë 5 vendime për shpronësime publike të pronarëve. Këta pronarë duhet të kishin marrë nga shteti dëmshpërblim monetar me vlerë 46 milionë euro. Por, sipas Vorpsit, ata ende nuk e kanë marrë këtë shifër. Ndërkaq, kreu i Shoqatës bën të ditur se në buxhetin afatgjatë të qeverisë për vitet 2010-2013, qeveria ka parashikuar për dëmshpërblimin e ish-pronarëve një shifër prej 145 milionë eurosh, shifër kjo që konsiderohet simbolike nga ish-pronarët. Kjo për faktin se vetëm për 34 hektarë tokë të shpronësuar qeveria duhet të paguajë 46 milionë euro. Ish-pronarët mendojnë se amendimi i Ligjit të Legalizimeve duke u dhënë mundësi zaptuesve të tokës të paguajnë me 1 euro metrin katror bëhet vetëm për qëllime elektorale dhe në kurriz të pronarëve të ligjshëm të tokës. Ata i bëjnë thirrje qeverisë që të ndryshojë sa më parë Ligjin e Legalizimeve dhe të kompensojë financiarisht pronarët e ligjshëm.
Qëndrimi
“Me shqetësim dhe indinjatë po përcjellim mënyrën se si qeveria po reagon për detyrimin ligjor që ka për shpronësimin për interes publik, ose për shpronësimin e pronarëve të ligjshëm për efekt të Ligjit të Legalizimeve. Më 5 nëntor 2008 qeveria ka botuar në Fletoren Zyrtare 5 vendime të Këshillit të Ministrave. Këto vendime parashikojnë shpronësimin e një sipërfaqeje prej 34 hektarësh me një vlerë rreth 46 milionë eurosh. Në bazë të Nenit 15/1 pika 2 të Ligjit të Legalizimeve, zyrat e AKKP-së duhet t’i kompensojnë subjektet e shpronësuara brenda 6 muajve. Pra, në bazë të ligjit, këta pronarë duhet t’i kishin marrë prej disa muajsh paratë e tyre, gjë që nuk ka ndodhur”, - është shprehur kryetari i shoqatës “Pronësi me drejtësi”, Myrshit Vorpsi. Ndërkaq ai shprehet kundër vendimit të fundit të qeverisë që mban datën 10.06.2009 “Për administrimin e fondit special të kompensimit të pronave”. Sipas Vorpsit, ky vendim i qeverisë parashikon që dhënia e pagesës pronarëve të ligjshëm të bëhet me këste, në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga pronat e legalizuara. Sipas Shoqatës, kjo është një padrejtësi që bëhet ndaj pronarëve të ligjshëm për shkak se personat që kanë ndërtuar pa leje po favorizohen në kurriz të tyre. Kjo për faktin se mundësia për të paguar me letra me vlerë sipërfaqen e zënë për ta legalizuar ul të ardhurat dhe një m2 që deri dje paguhej me 1000 lekë, tani, me këtë ndryshim, këta banorë mund ta paguajnë me 100 lekë. “E gjithë kjo maskaradë ndodh në një kohë që regjistrat e ZRPP-ve në rrethe, në zbatim të këtyre vendimeve, këtë sipërfaqe toke ia kanë çregjistruar pronarëve dhe e kanë kaluar në pronësi të shtetit, ndërkohë që për këto shpronësime nuk është paguar asnjë qindarkë. Nëpërkëmbja e ligjit, dhunimi i tij dhe arbitrariteti i pushtetit është tipari kryesor i sjelljes së qeverisë me pronarët dhe pronën e ligjshme. Përherë ne kemi thënë se ky ligj nuk duhej kaluar, veç të tjerash, edhe pse ishte pa një faturë financiare”, - është shprehur Vorpsi. Sipas tij, nuk duhet që pronarët që janë shpronësuar për efekt të legalizimit të kompensohen nga Agjencia e Pronave, por duhet të kompensohen nga ajo e Legalizimeve. “Futja në përdorim e letrave me vlerë në procesin e legalizimit, sipas këtij vendimi të qeverisë, bëhet në kurriz të pronarëve. Qeveria në këtë mënyrë vodhi me forcën e ligjit pronarët dhe pronat e tyre, taksapaguesin dhe shtetin shqiptar për të përkrahur pushtuesit e tokave”,- janë shprehur ish-pronarët.
Kërkesat
Ata kanë renditur në deklaratën e tyre një sërë kërkesash për qeverinë shqiptare, midis të cilave ndryshimi sa më parë i Ligjit të Legalizimeve. “I kërkojmë urgjentisht qeverisë që të realizojë pagesën e fondit prej 46 milionë eurosh për pronarët e shpronësuar, si dhe të shfuqizojë VKM-në ‘Për administrimin e fondit special të kompensimit të pronave’. Në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese shpronësimet që bëhen për efekt të legalizimeve, të kompensohen brenda tre muajve nga botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare. Qeveria të heqë dorë nga përdorimi i fondit të kompensimit të pronarëve për shpronësimet e bëra për efekt të legalizimeve, ky kompensim duhet të bëhet nga ALUIZNI. Të rishikohen çmimet dhe pagesat për legalizimin e banesave dhe të eliminohet përdorimi i letrave me vlerë. Ligji i Legalizimeve duhet të rishikohet për të ulur koston e tij. U bëjmë thirrje opinionit publik dhe forcave politike që të reagojnë sepse janë ato që do të paguajnë nesër për hir të pushtuesve të tokave dhe politikave elektorale me kosto për Shqipërinë. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë në Strasburg”, - përfundon deklarata e Shoqatës së pronarëve të ligjshëm.
Kundërshtimi i Shoqatës
Qeveria, vendim të ri për kompensimin me këste të ish-pronarëve
Reagimi i Shoqatës së pronarëve të ligjshëm vjen në një moment kur qeveria ka depozituar në Kuvend një vendim të ri që parashikon mënyrën e kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara nëpërmjet dhënies me këste të parave që u takojnë. Mbi bazën e këtij vendimi, që pritet të diskutohet së shpejti në komisionet parlamentare, kompensimi në lekë për ish-pronarët do të realizohet nga qeveria me skemën me këste, dhe jo njëherësh. Projektligji "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave", i paraqitur për shqyrtim në Kuvend, vendos që ndryshe nga herët e tjera, ish-pronarët nuk do të kompensohen financiarisht menjëherë, por mbi bazën e afateve të ndryshme kohore. Do të jetë Ministria e Financave që do të përcaktojë afatet dhe modalitetet. Kështu është përcaktuar në Nenin 6, pika 1 dhe 2 të këtij projektligji në lidhje me shpërndarjen e fondit të kompensimit. Një gjë e tillë sanksionohet edhe për ish-pronarët, të cilët përfitojnë kompensim financiar nga shteti si pjesë e procesit të legalizimit të zonave informale. "Në bazë të arkëtimit të të ardhurave sipas shkronjës "c", të pikës 1, të Nenit 3 të këtij ligji, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave, miraton shumën në dispozicion të pronarëve, të parashikuar në pikën 2 të Nenit 5 të këtij ligji dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume. Pjesa e mbetur e fondit të kompensimit përdoret për kompensimin e subjekteve të parashikuara në pikën 1 të Nenit 5 të këtij ligji, në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit, në varësi të të ardhurave që gjenden në fondin e kompensimit të pronave", - thuhet në pikat 1 dhe 2 të Nenit 6. Kriza ekonomike duket se ka ndikuar në vendimmarrjen e qeverisë, në mënyrë që të realizojë një shpërndarje të lekëve me formën e kësteve për ish-pronarët. Pikërisht ky projekt është kundërshtuar dje nga ish-pronarët që kërkojnë shfuqizimin e tij duke kërcënuar qeverinë se do ta ankimojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut, gjykatë kjo që ka dhënë me dhjetëra vendime në favor të pronarëve shqiptarë, duke e detyruar qeverisë t’i dëmshpërblejë ato me shifra shumë më të mëdha.
3 Shkurt 2010