Pronat, vetëm në janar, 80 padi kundër AKKP-së
Laureta Rryçi
Viti 2010 nis sërish me probleme për pronën, duke vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e vendimeve mbi të drejtën e pronës. Vetëm gjatë muajit të parë të këtij viti, në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar rreth 80 padi ku kërkohet shfuqizimi i vendimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, si dhe ndryshimin e këtyre akteve për rikthimin e së drejtës mbi pronën. Të tilla padi kanë nisur të depozitohen që në vitin 2008 në këtë gjykatë, mirëpo me kalimin e kohës ato janë dyfishuar. Tanimë që të gjitha kërkesat janë mbledhur për shqyrtimin në Zyrën Qendrore të AKKP-së, pritet një fluks edhe më i madh i këtyre padive nga ish-pronarët e pakënaqur me vendimet.
Përplasja
Prej vitesh është krijuar një përplasje e ligjëruar për të drejtën e pronës mes vendimeve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Institucioni i ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave ka vendosur të rrëzojë një pjesë të mirë të kërkesave të qytetarëve për t’u njohur si pronarë mbi sipërfaqe të caktuara toke. Më pas, këto vendime, pas ankimimit në Gjykatë, janë shfuqizuar thuajse tërësisht. Në këtë mënyrë duket se qytetarët kanë gjetur rrugën e duhur ligjore për të mos humbur betejën për të rifituar titullin pronar i ligjshëm. Sipas statistikave zyrtare të Gjykatës së Tiranës, kjo shifër është e vlefshme vetëm për muajin e parë të këtij viti. Ndërsa krahasuar me një vit më parë, rezulton se është dyfishuar. Por, kjo përplasje shkon edhe më tej, duke përfshirë edhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kryeregjistruesi në këto raste është i detyruar të pezullojë përkohësisht regjistrimin e pronës së paluajtshme derisa të bëhet ballafaqimi i vendimeve mes AKKP-së dhe gjykatës. Gjithsesi, sipas legjislacionit në fuqi, vendimet e gjykatës janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet shtetërore, në këtë rast nga zyrat e regjistrimit. Statistikat tregojnë se AKKP-ja ka pasur konflikte gjyqësore po prej vendimeve të saj edhe me institucione të pushtetit vendor. Këto të fundit kanë ngritur pretendimin se po jepen sipërfaqe që nga AKKP-ja janë cilësuar si të lira, por në të vërtetë janë në juridiksionin e tyre. Në këto raste, sërish gjykata ka dhënë verdiktin e saj duke shfuqizuar vendimin e AKKP-së. Në këtë mënyrë është vërtetuar se vendimet e AKKP-së po sjellin edhe një kosto të lartë financiare për vetë shtetin.
Paditë
Sipas legjislacionit, kur qytetarët nuk janë dakord me vendimin e AKKP-së qendrore, kanë të drejtë të bëjnë ankimim vetëm pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Ky ankimim cilësohet i vlefshëm vetëm nëse bëhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit të AKKP-së. Pikërisht këtë përcaktim ligjor kanë shfrytëzuar një mijë qytetarët që i janë drejtuar Gjykatës. Burime pranë kësaj gjykate shpjegojnë se padi me objekt shfuqizimin e vendimit të AKKP-së depozitohen thuajse çdo ditë. Sipas të dhënave zyrtare pranë kësaj gjykate, procese të tilla civile zgjasin 460 ditë vetëm në shkallën e parë. Më pas, vendimi, që të marrë formën e prerë, duhet të kalojë të gjitha shkallët e Gjyqësorit, që me një kalkulim të përafërt, duhen rreth tre vjet.
AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër. Jo më vonë se 45 ditë nga regjistrimi i ankimimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së merr vendim për objektin e ankimimit. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së është i detyruar të vendosë ose lënien në fuqi të vendimit, ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij. Kundër vendimit për lënie në fuqi të vendimit të AKKP-së së zyrës rajonale, ankimi kryhet pranë gjykatës së rrethit në territorin e qarkut ku ka vendndodhjen zyra rajonale e AKKP-së së qarkut dhe mbrojtja e interesave të AKKP-së kryhet nga zyra rajonale e AKKP-së së qarkut. Kur vendimi zgjidh çështjen në themel, ankimi kryhet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë dhe AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër.
Afatet e shqyrtimit të dosjeve
Agjencia e Pronave, në bazë të ndryshimeve në ligj, duhet të përfundojë brenda afatit shqyrtimin e kërkesave të pronarëve për njohjen, kthimin ose kompensimin financiar. AKKP-ja do të marrë në shqyrtim kërkesat për të cilat nuk ka ende asnjë vendim, duke kontrolluar dhe vlerësuar dokumentacionin e paraqitur nga subjektet e shpronësuara. Në bazë të ligjit, AKKP-ja duhet të verifikojë vërtetësinë e dokumentacionit duke i ballafaquar më aktet ligjore dhe me vendimet e gjykatave që kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e pronës pa të drejtë nga shteti. Pas verifikimit të dokumentacionit, drejtori i AKKP-së, brenda një afati prej 60 ditësh, duhet t’i kthejë përgjigje pronarit; që përfshin rrëzimin e kërkesës ose njohjen e të drejtës së pronësisë, kthimin fizik ose kompensimin financiar. Më pas AKKP-ja u konfirmon pronarëve të drejtën e pronësisë dhe lëshon dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose kompensimit të pronës.
Një tjetër detyrë e AKKP-së është shqyrtimi i ankesave kundër vendimeve të dhëna nga ish-zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe të ndryshme të vendit, apo vendime të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pas shqyrtimit të animimit, drejtori i AKKP-së vendos rrëzimin e ankimit dhe lënien në fuqi të vendimit të mëparshëm, ose shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Kur vendimet e dhëna nga AKKP-ja nuk ankimohen, atëherë vendimi kthehet në titull ekzekutiv.
Pezullohet kompensimi fizik derisa të shqyrtohen kërkesat
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka vendosur të pezullojë procesin e kompensimit fizik derisa të shqyrtohen të gjitha ankesat për pronat. Burime pranë Agjencisë pohuan se ky urdhër është dhënë pas grumbullimit të të gjitha dosjeve nga rrethet në Zyrën Qendrore të kryeqytetit. Drejtuesit e AKKP-së kanë gjykuar se duke qenë se numri i ankesave shkon në tetë mijë, më parë t’i shqyrtojnë ato dhe më pas të nisin kalkulimet për kompensimin fizik për ish-pronarët. Të njëjtat burime saktësuan se tashmë ka nisur shqyrtimi i këtyre qindra mijëra dosjeve që u përkasin konflikteve për pronat në të gjithë vendin. Urdhri për pezullimin e procesit është bërë pak javë pasi Këshilli i Ministrave përcaktoi dhe afatin e shkrirjes së Agjencisë. Ligjërisht procesi i kthimit të pronës është mbyllur që më 31 dhjetor të 2008-s për dorëzimin e dokumenteve, por ka pasur dhe një afat të dytë deri më 31 qershor 2009, si afati i fundit për shqyrtimin e kërkesave. Megjithatë, pas kërkesës së drejtuesve të AKKP-së për një afat të tretë për shkak të numrit të lartë të kërkesave, qeveria e pranoi këtë kërkesë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit prej më shumë se një viti nuk jep më vendime për kthimin fizik. Ndërsa procesi i shqyrtimit është mbyllur që në qershor të vitit 2009.
3 Shkurt 2010