E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishet kontrata e punës, katër padi ndaj Kuvendit

Laureta Rryçi

Prishja e kontratës së punës para kohe i ka detyruar katër ish-punonjës të padisin Kuvendin duke kërkuar dëmshpërblim për pagesat që u kishin mbetur. Katër paditë tashmë janë depozituar në Gjykatën e Tiranës dhe është hedhur shorti për secilën prej tyre. Ermir Karini, Edlira Kasaj, Afrim Tonuzi dhe Ilir Zela kanë mësuar në të njëjtën ditë se janë pushuar nga puna. Që të katërt kanë vendosur të ndjekin rrugën ligjore për të rifituar të drejtën që u takon. Sipas padive të tyre, ata janë pushuar para se të përfundonte kontrata e punës që kishin nënshkruar dhe në vend të tyre janë marrë të tjerë. Në paditë e tyre ata i kërkojnë Gjykatës që të shfuqizojë katër vendimet që janë marrë më datë 26.11.2009. Këto vendime kanë përcaktuar lirimin nga detyra nga anëtar i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Që të katër paditësit duket se kanë pasur të njëjtën detyrë, duke qenë se edhe paditë i kanë të ngjashme me njëra-tjetrën. Ata kërkojnë gjithashtu që Gjykata ta detyrojë Kuvendin t’i dëmshpërblejë me pagën që do të përfitonin deri në plotësimin e mandatit të anëtarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.
Proceset
Përfundimi i procesit në shkallën e parë sërish nuk i jep të drejtë palës fituese. Juristët e institucioneve shtetërore, të gjendur përballë procesit të humbur në fazën e parë, vendosin të apelojnë duke e shtyrë sa më shumë ditën kur vendimi merr formën e prerë dhe shteti kthehet menjëherë debitor ndaj qytetarit. Në të shumtën e rasteve procese të tilla civile në të tria shkallët i kanë kaluar edhe tre vite derisa kanë marrë formën e prerë. Vetëm atëherë ish-nëpunësi u ka kërkuar institucioneve përkatëse që ta dëmshpërblejë atë financiarisht dhe me rikthim në detyrë.
Studimi
Studimi më i fundit ka zbardhur për herë të parë paditë në gjykatë për marrëdhënie pune. Në këtë studim u evidentuan qytetet më problematike, por për shkak dhe të institucioneve qendrore që janë në kryeqytet, numri i madh i padive i përkiste Tiranës. Sipas këtij studimi, më shumë largime kishte pasur gjatë vitit 2006; shifra këto që u përkisnin largimeve për shkak të reformës politike si në administratë, ashtu edhe në radhët e uniformave blu. Sipas të dhënave që janë kalkuluar nga specialistë gjatë viteve në vazhdim, numri i të larguarve ka ardhur në zbritje. Në total, numri i padite nga viti 2006 e deri në fundit të vitit 2008 është 5674. Reforma politike në administratë ka mbartur me vete një kosto financiare që e paguan padrejtësisht secili prej nesh. Heqjet me pa të drejtë nga puna i kanë detyruar dhjetëra ish-zyrtarë t’i drejtohen Drejtësisë për të rifituar të drejtën që u jep statusi i nëpunësit civil. Gjyqe këto në të shumtën e rasteve që janë fituar prej tyre, madje dhe duke u dëmshpërblyer. Kështu, veprimet politike e kthejnë shtetin menjëherë në debitor dhe ai që i paguan është sërish qytetari. Sipas statistikave të Gjykatës së Tiranës, gjatë këtyre viteve të fundit janë regjistruar me mijëra padi me objekt rikthimin në detyrë. Të gjendur përballë vendimeve politike që marrin zakonisht drejtuesit e ministrive sapo marrin pushtetin, ish-nëpunësit i drejtohen gjykatës duke e provuar heqjen e padrejtë nga puna. Kryesisht duke u bazuar dhe në vendimet që kanë dhënë deri tani gjyqtarët, pjesa më e madhe e padive janë pranuar duke u dhënë kështu të drejtë ankuesve.

Paditë për Kuvendin dhe kërkesat për dëmshpërblim

Jetmir Karini padit Kuvendin e Republikës së Shqipërisë
Objekti i padisë: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Shfuqizim i Vendimit Nr. 13, datë 26.11.2009 për lirimin nga detyra të një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Detyrimi i palës së paditur: të dëmshpërblejë paditësin me pagën që do të përfitonte deri në plotësimin e mandatit të anëtarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Edlira Kasaj padit Kuvendin e Republikës së Shqipërisë
Objekti i Padisë: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Shfuqizim i Vendimit Nr. 9, datë 26.11.2009 për lirimin nga detyra të një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Detyrimi i palës së paditur: të dëmshpërblejë paditësin me pagën që do të përfitonte deri në plotësimin e mandatit të anëtarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Afrim Tonuzi padit Kuvendin e Republikës së Shqipërisë
Objekti i Padisë: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Shfuqizim i Vendimit Nr. 12, datë 26.11.2009 për lirimin nga detyra të një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Detyrimi i palës së paditur: të dëmshpërblejë paditësin me pagën që do të përfitonte deri në plotësimin e mandatit të Anëtarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Ilir Zela padit Kuvendin e Republikës së Shqipërisë
Objekti i padisë: Padi për shfuqizim/ndryshim akti administrativ
Shfuqizim i Vendimit Nr. 10, datë 26.11.2009 për lirimin nga detyra të një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Detyrimi i palës së paditur: të dëmshpërblejë paditësin me pagën që do të përfitonte deri në plotësimin e mandatit të Anëtarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Dështon seanca për Remzi Hoxhën, gjyqtari pëson parainfarkt
Seanca e radhës në procesin e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha nuk ka mundur të zhvillohet për shkak të gjendjes shëndetësore të kryetarit të kolegjit penal. Sapo u hap seanca e radhës, teksa kryesuesi i kolegjit, gjyqtari Xhelal Elezi, po bënte apelimin e palëve, ka humbur ndjenjat. Menjëherë është telefonuar ambulanca, e cila e ka dërguar në urgjencë gjyqtarin që vazhdonte të ishte pa ndjenja. Më vonë u bë e ditur se gjyqtari Elezi kishte kaluar një parainfarkt, që për fat të mirë tani është jashtë rrezikut për jetën. Të pandehurit në këtë proces janë disa nga ish-SHIK-asit e aso kohe, të cilët përgjatë gjithë seancave përfaqësohen në sallën e gjyqit vetëm nga avokatët e tyre mbrojtës. Procesi ndaj ish-drejtuesve të Shërbimit Informativ Shtetëror, që akuzohen nga Prokuroria si përgjegjës në rrëmbimin e trefishtë në vitin 1995 të Avdyl Loshajt, Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës, ndodhet në fazën e marrjes së dëshmisë së Loshajt. Gjykata ende nuk ka vendosur ta zgjidhë dilemën nëse dëshmia e Loshajt duhet të merret me letër-porosi, apo një trupë gjyqësore, së bashku me prokurorët dhe avokatët duhet të udhëtojnë drejt Holandës për ta dëgjuar dëshmitarin kyç që mendohet se ka qenë gjithashtu edhe njëri nga të torturuarit e SHIK-ut.

Loja e avokatëve

Masakra e Cërrikut dështon për të shtatën herë radhazi

Seanca e radhës për masakrën e Cërrikut dështoi dje për të shtatën herë radhazi. Mungesa e dy avokatëve pengoi dëshminë e disa ish-gardistëve, të cilët kanë disa janë rresht që vijnë në Gjykatë për të dëshmuar, por nuk arrijnë dot. Madje, sipas tyre, kjo është një lojë e avokatëve për të penguar dëshminë e tyre.
Nga momenti që u hap dosja “Masakra e Cërrikut”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka prerë dhjetë fletë-arreste. Midis tyre dhe zyrtarë të lartë e deri te ish-punonjës policie. Policia e Shtetit dhe Prokuroria për Krime të Rënda arriti të ulë në një farë mënyre dhimbjen e familjarëve të efektivëve të Gardës, Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoi, që para një viti morën medaljen “Dëshmor i Atdheut”. Të arrestuar janë ndaluar Llazar Bici, 45 vjeç, Roland Xhepaxhiu, 39 vjeç dhe Met Bozi, 49 vjeç, të tre banues në Cërrik. Ndaj shtetasve të ndaluar rëndojnë akuzat për “vrasje me dashje, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, “vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, kryer në bashkëpunim ngelur në tentativë më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 79/c/dh-25: 79/c/dh-25-22 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Materialet hetimore në ngarkim të të tre të ndaluarve i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Më tej kësaj liste iu shtuan vëllezërit Alban dhe Arjan Toska, vëllezërit Bujar dhe Tomor Buzani, së fundi Skënder Cano, ish-oficer i Xhenios dhe Entel Gashi.

3 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›