E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ftohti kap rekordet; temperaturat deri në -20 gradë celsius

Thimi Samarxhiu

Minus 20 gradë celsius ka shënuar termometri dy net më parë në Veri të vendit. Sipas të dhënave paraprake mësohet se nuk ka reshje të dendura dëbore, por temperaturat kanë pësuar një ulje të ndjeshme në gjithë Veriun e vendit, duke arritur në këtë mënyrë shifra rekord. Veç temperaturave të ulëta, banorët e këtyre zonave janë hasur dhe me problemet në qarkullimin rrugor. Shumë fshatra të thella janë bllokuar tërësisht dhe një numër i madh rrugësh kanë vështirësi në kalim. Ndërkohë, nga ana e saj, Ministra e Brendshme, me anë të një komunikate për shtyp, bën të ditur gjendjen aktuale në zonat e bllokuara, ku situata më problematike paraqitet në qarkun e Kukësit, ku trashësia e borës ka arritur deri në 30 cm.

Akset e bllokuara
Sasitë e mëdha të dëborës që kanë rënë në zonat malore të vendit kanë bllokuar një sërë aksesh të rëndësishme kombëtare. Kështu, në Qafë-Kërrabë, gjatë ditës së djeshme rruga ishte pothuajse e bllokuar për shkak të borës. Policia bllokoi lëvizjen e furgonëve në këtë aks dhe ndaloi qarkullimin e mjeteve të tjera pa zinxhirë. Për këtë arsye, shumica e makinave janë kthyer mbrapsht, duke përdoruar rrugën tjetër, atë të Durrësit për të mbërritur në Tiranë. Ndërkohë, reshjet e dëborës që nisën në orët e mëngjesit kanë mbuluar Qafën e Llogorasë duke vështirësuar mjaft qarkullimin e automjeteve në segmentin rrugor të saj, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë. Sipas mediave bëhet e ditur se dëbora ka zbritur deri në fshatin Dukat, në vendin e emërtuar “Çezma e Dukatit”, rreth 30 km në jug të qytetit të Vlorës.
Ndërkohë, shtresa e dëborës në rrugë e bën mjaft të vështirë qarkullimin e automjeteve, të cilat mund të lëvizin vetëm me zinxhirë. Policia ka udhëzuar të gjithë drejtuesit e automjeteve të pajisen me zinxhirë, ndërsa po merr masat për të parandaluar ndonjë aksident të mundshëm. Ndërmarrja e Rrugëve po punon për largimin e dëborës nga rruga dhe hedhjen e kripës e skorieve.

Qarku i Shkodrës
Ministria e Brendshme bën të ditur se situata në këtë qark është normalizuar. Sipas saj, gjatë 24 orëve të fundit në rrethin e Shkodrës ka pasur 25 mm shi. Të gjitha rrugët për në fshatrat e përmbytura në muajin janar janë të kalueshme nga të gjitha mjetet. Ka ende 1600 ha tokë në prezencë uji, 42 shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji. Në Malësinë e Madhe vështirësia në qarkullim paraqitet vetëm në rrugën për në komunën e Kelmendit, ku nevojitet përdorimi i zinxhirëve. Është e bllokuar edhe rruga Bogë–Theth dhe për këtë shkak, qarkullimi për në komunat e zonës së Dukagjinit, Shalë, Pult, Shosh kryhet nga rruga e Shoshit që lidhet me Shkodrën. Në rrethin e Pukës ka pasur reshje të dobëta dëbore, të shoqëruara me temperatura të ulëta. Rrugët janë të gjitha të kalueshme dhe në disa segmente kalohet me vështirësi, kurse përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm, si në rrugën Qafë-Mali – Qafë-Shllak – Kukës - Morinë dhe në rrugën Qafë-Mali - Fierzë. Në rrethin e Pukës vazhdon të mbetet e bllokuar vetëm rruga për në komunën Iballë-Berishë.

Qarku Lezhë
Aktualisht situata paraqitet normale dhe reshjet nuk kanë qenë intensive. Kanë rënë vetëm 34 mm shi, por pa sjellë situata problematike. Rrugët nacionale dhe rurale në shkallë qarku janë të kalueshme plotësisht dhe nuk ka pasur probleme në qarkullim. Policia e Qarkullimit Rrugor ka qenë vazhdimisht në kontroll dhe në ndihmë të qarkullimit normal të automjeteve. Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë.

Qarku Kukës
Dje ka pasur reshje intensive shiu dhe breshër, kurse në zonat malore mbi 600 metra ka pasur reshje bore. Reshjet për një periudhë kohe prej rreth 1 ore në mesditë kanë qenë shumë intensive, aq sa në qytetin e Kukësit bora krijoi një shtresë prej 30 cm. Në të gjithë rrjetin rrugor qarkullimi i automjeteve nuk ka pasur probleme, me përjashtim të rrugës nacionale Qafë-Mali – Morinë, që në segmente të veçanta ka pasur bllokime të përkohshme për shkak të rrëshqitjeve të inerteve dhe reshjeve të dëborës. Rruga për në Shishtavec u hap nga inertet, por qarkullohet me vështirësi edhe për shkak të reshjeve të dëborës. Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët për në komunat Arrën, Grykë Çajë dhe Zapod.

Qarku Dibër
Edhe ditën e djeshme, në qarkun e Dibrës ka pasur reshje shiu dhe në zonat malore mbi 600 m ka pasur reshje dëbore. Më me intensitet reshje ka pasur në rrethin e Dibrës dhe më pak në Bulqizë. Gjatë natës nuk ka pasur reshje, por temperaturat janë relativisht të ulëta deri në -20 C. Në të gjithë segmentet rrugore nuk ka ngrica. Ndërprerja e reshjeve gjatë natës që kaloi ka sjellë përmirësim të situatës dhe gjithashtu të rrjetit rrugor. Aktualisht vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat Lurë dhe Kalaja e Dodës në rrethin e Dibrës dhe komuna Trebisht, si dhe disa fshatra të komunës Martanesh në rrethin e Bulqizës. Rrugët nacionale janë të kalueshme në shkallë qarku, por në disa segmente gjithmonë problematike, si në Qafë-Buall dhe në hyrje të qytetit të Bulqizës qarkullohet me zinxhirë. Situata mbahet në kontroll të vazhdueshëm nga Policia e Qarkullimit Rrugor. Drejtoria Rajonale e Rrugëve dhe subjektet nënkontraktore po punojnë me borëpastruese dhe hedhjen e kripës dhe të skorieve.

Qarku Korçë
Situata paraqitet normale në këtë qark. Ka pasur reshje dëbore gjatë natës, por jo intensive. Dje në mëngjes kanë filluar me intensitet. Në disa segmente të aksit Korçë-Librazhd, kryesisht në Qukës, Qafë-Thanë dhe Korçë–Kolonjë, në Qafë-Qarri ka pasur vështirësi në kalimin e mjeteve për shkak se reshjet e dëborës kanë qenë të mëdha. Nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve, e mbështetur nga punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor, është punuar pa ndërprerje për pastrimin e dëborës dhe nuk është lejuar bllokimi i rrugës. Në akset e tjera rrugore nuk ka probleme.

Moti për sot

Edhe ditën e sotme pritet një mot me alternime, ku paraditja do të jetë më diell, ndërsa në mbrëmje temperaturat do të ulen dhe do të fillojnë reshjet. Pjesa më e madhe e territorit shqiptar pritet që ditën e sotme deri në mesditë do të jetë sërish me diell, përjashtuar zonat malore ku do të ketë vranësira kalimtare. Pasditja do të shfaqë vranësirat si fillim në bregdet e më pas në të gjithë territorin, por vranësirat do të vijnë duke u shtuar në mesnatë dhe për pasojë zonat malore do të kenë reshje të dobëta. Temperaturat e mëngjesit do të pësojnë rënie në qendër dhe Jug por mesdita do të sjellë një rritje të lehtë të temperaturave në vend.

3 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›