Rishikimi i shpenzimeve, qeveria u ngrin buxhetin institucioneve kushtetuese
Ervin KOÇI
Qeveria ka programuar kursime drastike këtë vit në shpenzimet e ndryshme të administratës, si pasojë e krizës dhe mungesës së parave. Por bashkë me fondet e buxhetit 2010 që u janë akorduar në fillim të vitit ministrive dhe të gjitha dikastereve në varësi të tyre, qeveria do të rishikojë edhe fondet e institucioneve kushtetuese. Këtyre të fundit Ministria e Financave u ka “ngrirë” të gjithë buxhetin e vitit 2010 dhe bashkë me të dhe fondet që duhet të akordoheshin si shtesë, pasi këto institucione u ankuan për mungesë parash. Financat kanë përcaktuar muajin e ardhshëm si afatin për të rishikuar buxhetin e të gjithë institucioneve shtetërore, dhe kësaj ministria ka planifikuar ti bëjë shkurtime të mëdha. Ministritë e ndryshme janë duke marrë në konsideratë eliminimin e disa shpenzimeve që nuk cenojnë prioritet zhvillimore të vendit, për t’iu përgjigjur një kërkese të Ministrisë së Financave, e cila në mungesë të të ardhurave të planifikuara parashikon të ulë shpenzimet. Por krejt e kundërta ka ndodhur me institucionet kushtetuese, të cilat në mungesë të fondeve kanë bllokuar veprimtarinë e tyre dhe zhvillimin e programit për vitin 2010.
Kursimet
Sipas Ministrisë së Financave, të gjitha ministritë dhe institucionet kushtetuese pritet që deri në fillim të muajit të ardhshëm, të kenë vendosur se për çfarë duhet të shpenzojnë dhe për çfarë nuk duhet të shpenzojnë nga ato që kishin planifikuar për këtë vit. Të njëjtat burime pohojnë se, shkurtimi i shpenzimeve nuk do të cenojë prioritet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik dhe Social të vendit. Ministria e Financave e ka marrë në konsideratë rishikimin e buxhetit më shpejt se vitet e tjera për t’i paraprirë kështu frenimit të rritjes së deficitit buxhetor dhe për rrjedhojë edhe borxhit. Korrektimi i shpenzimeve të buxhetit, lidhet edhe me faktin se këtë pranverë Shqipëria do të vlerësohet nga agjencia e normimit “Moody’s” dhe pas këtij vlerësimi pritet emetimi i të parit Eurobon në tregun ndërkombëtar. Kështu që vendi të ruaje stadin aktual (stabël) në treguesit e borxhit, duhet që patjetër të ruajë deficitin buxhetor në parametrat e parashikuara në fillim të vitit.
Shpenzimet
Për shkak se kriza globale ka shtrënguar likuiditetet, të marrësh borxh në këto kohë të kushton. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, kursimi i një sasie të ardhurash do të realizohet duke shkurtuar disa lloj shpenzimesh që nuk mund të mbulohen me të ardhura. Metoda e shkurtimit të shpenzimeve në mungesë të të ardhurave është këshilluar edhe më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe së fundi nga Banka Botërore. Banka e Shqipërisë nga ana tjetër përgjatë gjithë vitit që shkoi, i ka kërkuar qeverisë që të mos rrisë deficitin buxhetor dhe të shmangë rritjen e borxhit. Të ardhurat e parashikuara në buxhetin e vitit 2010 janë 361 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet arrijnë në masën 416 miliardë lekë, duke bërë që deficiti parashikohet të jetë më i ulët, pra me rreth 3.8 për qind nga ky vit. Qeveria ka parashikuar për vitin që vjen 600 milionë dollarë më shumë, krahasuar me buxhetin e vitit 2009.
3 Shkurt 2010