E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama kopjon Kryeministrin: Prioritet në hetim, krimi financiar

Kërkesa për Prokurorinë e Krimeve të Rënda: Fokusoni punën te hetimi pasuror. Zbatoni “Antimafien”

Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Ministrave kanë prioritete të njëjta në lidhje me krimin financiar, në zbatim të ligjit të ri “Antimafie”. Palët janë angazhuar që të adaptojnë më së miri këtë ligj drastik për individët, bizneset dhe personat me precedentë kriminalë, pa harruar këtu edhe organizatat kriminale, duke përmendur se toleranca ndaj abuzuesve do të jetë “zero”. Dy institucionet janë angazhuar që brenda një kohe të shkurtër, të vihen para përgjegjësisë ligjore personat apo organizatat kriminale që kanë ngritur pasuri “në të zezë”, pa përmendur këtu nëse këto të ardhura janë fituar me djersë apo me vepër penale. Megjithëse në ligjin e ri nuk janë përmendur këto detaje, Kryeprokurorja Ina Rama dhe numri një i qeverisë, Sali Berisha, megjithëse në kohë të ndryshme, kanë deklaruar të njëjtat prioritete. Në datën 25 shkurt, një ditë pasi kishte hyrë në fuqi ligji “Antimafie”, Kryeministri do të zotohej se do të mbështesë denoncimin për abuzime financiare, qofshin këta edhe zyrtarë të lartë të shtetit. Ndërsa dje, në analizën vjetore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Kryeprokurorja Ina Rama i kërkoi me ngulm kësaj strukture që të ketë prioritet dhe të fokusohet te hetimi pasuror i personave që shkelin ligjin dhe janë objekt i këtij ligji shumë të debatuar.

Kërkesa e Kryeprokurores

Numri një i akuzës, në analizën vjetore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u njoh me rezultatet e arritura në vitin që shkoi, si dhe vuri theksin në bashkëpunimin e ngushtë mes Prokurorisë dhe Policisë në luftën drejt trafikut dhe qenieve njerëzore. Shefja e organit të akuzës, Rama bëri prezente në analizë bashkëpunimin ndërkombëtar, si një domosdoshmëri për krimet e reja që janë depërtuar në vendin tonë. “Një nga kërkesat e Kryeprokurores drejtuar prokurorëve të pranishëm të Krimeve të Rënda ishte fokusimi i punës në drejtim të hetimit pasuror, në zbatim të ligjit të ri ‘Antimafie’. Prokurorja e Përgjithshme Rama ka tërhequr vëmendjen për rritjen e efikasitetit të metodave speciale të hetimit”, thanë burime nga akuza qendrore, duke shtuar se është kërkuar me ngulm bashkëpunimi ndërkombëtar. Pasi shumë çështje te Krimet e Rënda janë të njëjta me hetimet e homologëve të tyre në Perëndim ose në vendet fqinje. U kërkua që prokuroria të marrë informacion të drejtpërdrejtë për këto hetime nga homologët ndërkombëtarë, duke zbatuar ligjin e ri që ka hyrë në fuqi për “marrëdhëniet me autoritetet e huaja në çështjet penale”.

Analiza e Krimeve të Rënda

Shefja e organit të akuzës ka përgëzuar strukturën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për punën njëvjeçare. Ajo u njoh me disa të dhëna të punës. Në vitin 2009, në Prokurorinë për Krime të Rënda, u hetuan 220 procedime, nga të cilat 104 të mbartura nga vitet e mëparshme dhe 119 të regjistruara rishtazi gjatë vitit që kaloi. Kanë marrë zgjidhje përfundimtare 139 procedime, po aq sa edhe një vit më parë, ndërkohë që u mbartën për vitin 2010, 81 procedime. “Në gjyq u dërguan 46% të procedimeve të zgjidhura, që është një tregues shumë i mirë. Gjatë 2009-s u transferuan për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore 26 procedime”, thuhet në analizë. Ndër grupveprat penale të hetuara ashtu si vitet e kaluara, pjesën dërrmuese e përbëjnë krimet e trafikimit të lëndëve narkotike 99 procedime, shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë 31 procedime, trafikimi i qenieve njerëzore 24 procedime, veprat e ndryshme penale të kryera nga organizata kriminale dhe grupe të strukturuara 21 procedime, vrasjet e kryera ndaj personave me cilësi të veçanta 15 procedime, rrëmbimi i personit, 12 procedime dhe vepra të tjera në numër më të vogël.

Rritet gjobëvënia

Analiza e të dhënave tregon se, në raport me vitin 2008, është rritur ndjeshëm numri i rasteve të shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, ndërkohë që vihet re rënie e dukshme e rasteve të trafikimit të armëve. Tendenca e trafikimit të lëndëve narkotike mbetet gati e pandryshuar, ndërsa vihet re një rënie gati për 1/3 e numrit të procedimeve për trafikim të qenieve njerëzore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›