E Hënë, 2 Nëntor 2026

Greva e mësuesëve, rinis më 12 prill

20/03/2005  Dy sindikatat përsëri së bashku, kërkojnë rritje pagash deri 30 për qind

“Duke qenë se premtimi që dialogu për kërkesat tona do të niste në fillim të muajit mars, nuk u mbajt, ne vendosëm që të rinisim grevën. Më datën 12 prill do të zhvillohet një grevë paralajmëruese një orëshe. Do të jemi në pritje të dialogut, dhe nëse përsëri s’ka asnjë përgjigje do të rinisim grevën treditore më datë 18 prill, për të vazhduar më pas me atë pa afat”, thotë Xhafer Dobrusha, kryetari i Federatës së Arsimit, në Konfederatë. I të njëjtit mendim është dhe Sindikata e Pavarur, e kryesuar nga Dëfrim Spahia. Edhe para disa javësh, Spahia ka theksuar se grevën nuk e kanë mbyllur, por e kanë ndërprerë përkohësisht. Sindikatat kërkojnë rritjen e pagave deri 30 për qind. Sipas sindikalistëve, kjo ka qenë një derivat i mosrealizimit të kërkesave të vitit 2004-05, kërkesa për një rritje rroge prej 15-30%, nuk është një kërkesë taksative, por është një kërkesë shumë e domosdoshme dhe ka lindur nevoja për diskutime. Ministria e Arsimit shprehet zyrtarisht se ka qenë dhe mbetet e hapur për dialog me të gjithë përfaqësuesit sindikalë, në zbatim të kontratave të nënshkruara mes palëve dhe që janë ende në fuqi. Ndërkohë ministri i Arsimit, Luan Memushi, ka deklaruar: “Ne i kemi ngritur pagat e mësuesëve gradualisht. Por, sindikatat kërkojnë një rritje të menjëhershme 30 për qind. Duhet ta dijnë se pagat nuk i rris unë dhe as Ministria e Arsimit”, thotë Memushi. Këto ditë pritej që të publikohej një studim i bërë nga Departamenti i Administratës Publike për kategorizimin e pagave të nëpunësve shtetërorë, në mënyrë që të gjejnë vendin e merituar edhe mësuesit dhe të gjthë ata që kontribuojnë në arsimin shqiptar. Në bisedimet me sindikatat është bërë e ditur edhe një rritje prej mbi 8 për qind e pagës së tyre, që qeveria planifikon ta realizojë në muajin qershor. Greva e mësuesëve u ndërpre në sajë të pranisë së forcave të policisë në çdo tubim të tyre dhe mospagim të ditëve të punës gjatë grevës, deri me kërcënime për pushim nga puna.

Sindikalistët nuk kanë pranuar që rritja e premtuar e pagës të nisë nga 1 nëntori, por nga 1 shtatori dhe të jetë 12 për qind, dhe jo 8 për qind, pasi 3.4 përqindëshi është indeksimi i pagave të të gjithë punonjësve. Ndërkohë, ata nuk pranojnë që rritja të nisë nga 1 qershori për vitin 2005, por nga dhjetori dhe të jetë jo 12 për qind, por deri 30 për qind. Megjithatë këtë herë ata kanë toleruar në një pikë, pranojnë që rritja epagës të nisë dhe nga muaji qershor.

Kërkesat janë:

2004: Rritje page nga 1 shtatori 12%, pa llogaritur indeksimin

2005: Rritje page deri 30% nga 1 qershori

Statusi i mësuesit

Vendosje e paternitetit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›