E Hënë, 2 Nëntor 2026

Musho, padi në Prokurori Irenës pas zhdukjes

19/03/2005  Bashkëshorti denoncon gruan për tentativë vrasje me ilaçe

"Kemi ndenjur deri në orën dy pas mesnate në Prokurori dhe kemi dhënë shpjegimet tona përballë akuzës", kanë pohuar kështu Agim Musho dhe Ylli Seli, për seancën e dëshmisë së dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ballafaqimi është arkivuar tashmë në dosjen "Irena" dhe versionet do të seleksionohen nga ekspertët e akuzës.

Padia

Kam depozituar tri ditë më parë një padi në Prokurorinë e Tiranës kundër Ylli Selit, Irenës dhe nënës së saj, Semiha Dervishi. Tentativë vrasjeje të qëllimshme me anë të ilaçeve të ndaluara, është pretendimi i Agim Mushos, që, sipas tij është përcjellë në Prokurorinë e kryeqytetit. Për këtë, bashkëshorti i së zhdukurës, thotë se ka marrë të gjithë epikrizat dhe rekomandimet e vizitave të bëra në Gjermani, pas përdorimit të ilaçeve që ka përdorur nën ndikimin e Irenës.

Ballafaqimi

Agim Musho ka pohuar se kanë qëndruar afro shtatë orë në Prokurori për të bërë ballafaqimin me vëllanë e ish-gruas së tij. "Eshtë diskutuar dhe fakti se gjoja unë në prill të 2004-ës i kam bërë presion një politikani, sikur kisha disa foto kompromentuese të tij, që të shmangia prishjen e kompleksit. Por këtë gjë e ka bërë Irena dhe kur kanë biseduar me mua, jam habitur". Kam kërkuar, ka pohuar Musho, që të më përgjigjet Ylli Seli se çfarë është bërë me paratë e kompleksit për aq muaj sa unë i lashë atij administrimin e pasurisë. Pretendoj se janë afro 200 mijë euro që duhej të përfitoheshin në këtë periudhë. Bashkëshorti i gruas së zhdukur prej tre muajsh, ka deklaruar se ka inçizuar të gjithë bisedën që është bërë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Këtë, ka pohuar ai, e kam bërë, pasi unë jam dëshmitar dhe jo i akuzuar, nuk kisha as avokat, pasi nuk jam i pandehur". Musho thotë se, Seli pretendon që unë ia kam vrarë motrën natën në traget, apo e paskam zhdukur me mafiozë". Sipas Mushos, të hënën në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ai do të ketë një tjetër ballafaqim, këtë herë me dajën e Irenës, me Shefqet Dervishin.

Seli: Agimi bëri lexim shtypi në Prokurori

Kam qenë në Prokurori ashtu si kam shkuar gjithnjë kur më kanë thirrur, ka pohuar Ylli Seli. Bëmë ballafaqim me Agim Mushon. Seli ka pohuar se për mua Musho bëri një lexim shtypi, një përsëritje të atyre gjërave që ka thënë prej muajsh në shumë gazeta dhe asgjë të re, asgjë më tepër që të ndihmonte hetimin. Sipas vëllait të Irenës, e rëndësishme është të zbardhet kjo ngjarje që po torturon familjen e tij, të gjendet një gjurmë e Irenës, qoftë gjallë apo vdekur, që të marrë fund kjo histori. Të gjitha të tjerat, sipas Ylli Selit, nuk kanë rëndësi dhe janë detaje që i përkasin punës së hetuesve dhe prokurorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›