E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lame: Do të kërkojmë shtyrje të afatit të vetëdeklarimit

20/03/2005  Vetëdeklarimi i qytetarëve i vonuar, sipas zv.ministrit i duhet kërkuar parlamentit shtyrje afati

Banorët e zonave informale vetëm javën e fundit kanë nisur të dorëzojnë formularët e plotësuar me fotot e shtëpive. Ndërkohë që data e fundit për dorëzimin e tyre është 24 mars 2005. “Nuk e dimë se sa zona informale janë në gjithë vendin, pasi javën e fundit ka nisur dorëzimi i formularëve. Ne do t’i kërkojmë parlamentit shtyrjen e afatit të vetëdeklarimit. Vetëm në fund të vetëdeklarimit do të shihet se sa formularë janë dorëzuar dhe se sa zona mund të quhen informale”, deklaroi Artan Lame, zëvendësministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

Kushtet për t’u quajtur zonë informale

Një javë më parë janë caktuar kushtet për t’u quajtur një zonë informale nga KRRTRSH, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë. Që të legalizohet një zonë duhet të jetë minimalisht 10 mijë metra katrorë. Më mirë në dorëzimin e formularëve paraqitet qyteti i Durrësit, më pas me dorëzimin, por jo me zonat janë qyteti i Tiranës, Vlorës, Elbasanit. Për qytetin e Tiranës ndikoi dhe miratimi me vonesë i tarifës së formularit. U vendos që çmimin do ta caktonte Këshilli Bashkiak i çdo Bashkie. Përgjithësisht çmimi i vetëdeklarimit ka variuar nga 100 lekë deri 500 lekë të reja. Kjo tarifë që paguhet nuk mbulon thjesht shpenzimet e fotokopjimit, por dhe hakën e punës së urbanistëve që do të shkojnë në secilën zonë dhe do të kryejnë azhornimet.

Çmimi i tokës

Ndërkohë ka mbetur ende e paqartë, gjë që është dhe dilema e atyre që do të legalizojnë shtëpitë, çmimi i tokës. Komisioni i Kthim Kompesimit të Pronave ka përcaktuar metodikën për caktimin e çmimit të tokës dhe në fund të muajit kjo metodikë do të kalojnë në parlament për miratim.

Sipas njoftimeve të fundit në Zyrat e Gjendjeve Civile janë tërhequr rreth 50 mijë formularë dhe janë dorëzuar rreth 12 mijë. Pas mbledhjes së formularëve, zyrat e urbanistikës në gjendjet civile do të përgatisin dhe hartat e zonave që do t’i dorëzojnë në Bashki dhe në fund në Agjencinë e Urbanizimit të Ministrisë së Rregullimit të Territorit.

Sipas ligjit, nëse nuk bënë vetëdeklarimin, përjashtohesh nga ky proces, pra nuk shënohet fare gjurma e shtëpisë tënde në hartë, rrjedhimisht je dhe i pambrojtur nga ligji. Një tjetër rregull përjashtues është dhe sipërfaqja e deklarimit. Askush nuk duhet të gënjejë për sipërfaqen që posedon. Sipas ligjit, leglizimi i shtëpisë lejohet deri në 500 metra katrorë. Ky rregull ka bërë që shumë familje, që kanë zënë më tepër se sa kjo sipërfaqe, dhe kanë djem, apo vajza me dhëndurë në shtëpi të bëjnë ndarjen, pra secili “kurorë” më vete, familje e veçantë. Në mënyrë që gjithsecili të përfitojë deri 500 metra katrorë tokë për shtëpi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›