Nuk ju njihet dëftesa 7 shkollave private
20/03/2005 Jo pak, por 7 shkolla jo publike dhe 10 kopshte gjithashtu private punojnë pa licensë nga Ministria e Arsimit. Ky problem doli mes diskutimeve në një takim me drejtorët e Drejtorive të mbledhur nga prefektja e Tiranës, Mimi Kodheli. Problemi është se dëftesa e nxënësve që vazhdojnë këto shkolla nuk njihet nga Ministria e Arsimit dhe këta nxënës nuk mund të ndjekin gjimnazin, kur të mbarojnë shkollën 8-vjeçare. Ndërkohë një prej shkollave private ka hapur dhe shkollë të mesme dhe janë dy vite me nxënës në vitin e parë dhe të dytë. “7 shkolla jo publike dhe 10 kopshte nuk janë të licensuar nga Ministria e Arsimit, pra nuk kanë marrë licensë profesionale. Një pjesë e mirë e tyre nuk plotësojnë kushtet për të funksionuar normalisht”, thotë drejtoresha e Arsimit, Majlinda Keta. Tarifa e licensës nga Ministria e Arsimit për kopshtet është 30 mijë lekë të reja, ndërsa për shkollat 60 mijë lekë të reja. Por, ndërkohë këto institutcione private paguajnë rregullisht tatim-taksat, pra janë të regjistruara për këtë arsye e quajnë veten plotësisht legjitim. “Këto subjekte janë të regjistruar në zyrat e tatim-taksave, por nuk kanë leje nga Ministria e Arsimit. Për këtë arsye duhet që Ministria e Arsimit, të na dërgoi një urdhër, që dhe ne t’i çregjistrojmë. Pra, rrjedhimisht, do të mbyllen”, thotë drejtori i Policisë Tatimore, Artur Duçkollari. Por, kur mbyllet një shkollë, apo kopsht problem mbetet sitemimi i fëmijëve që janë aty. Konkretisht, sipas ligjit, për t’ju njohur këto dëftesa nxënësve që mbarojnë këto shkolla, në mënyrë që të nisin një shkollë tjetër duhet të mblidhet një komision që bënë shqyrtimin e programit që kanë mësuar nxënësit dhe në fund komisioni vendos për njohjen, ose jo të këtyre dëftesave. Më i dukshëm ky problem do të jetë kur këta nxënës të arrijnë në klasë të tetë, apo në vit të katërt gjimnaz dhe iu duhet të regjistrohen në një shkollë tjetër.