E Hënë, 2 Nëntor 2026

Agjentja 0900 me të kërkuarin dhe më pas në pranga

19/03/2005  Historia e Ditës së Verës që çoi në qeli Elvis Perthin dhe Ardian Llapushin

Pas gjetjes së kartës telefonike afër trupit të viktimës së paidentifikuar te "Don Bosko", policia u hodh në veprim. Puna e parë ishte zbardhja e numrave celularë që ndodheshin në këtë kartë. Megjithëse viktima ishte munduar të tregohej i kujdesshëm, duke mos shënuar emrat përkatës të çdo numri, policia me anë të veprimeve operative nuk e pati të vështirë të arrinte t'i gjente.

Agjentet

Kështu në 14 mars, policia vuri në lëvizje agjentet femra. Agjentja e policisë kishte në dorë numrin e telefonit të tre personave, Mario Hasani, Elvis Perthi dhe Ardian Llapushi. Të parët që ranë në kurthin e agjentes, e cila bëri rolin e një vajze që kërkonte të dashur, janë të pandehurit Elvis Perthi dhe Ardian Llapushi. Për t'u njohur me djalin e "sugjeruar", agjentes iu tha të zgjidhte Ditën e Verës, ku shumë njerëz erdhën për të festuar në Tiranë. Në këtë ditë drejt Tiranës ishte nisur me makinën e tij edhe Ardian Llapushi me kunatin e tij, Elvis Perthi, të dy të pandehur tashmë. Në makinë me ta ishin edhe Hysni Lila, vëllai i Hysniut dhe daja i Leonard Priftit, Krenar Hasani nga Lushnja.

Kurthi

Vajza agjente futet në veprim. Para se të mbërrijnë në Tiranë, agjentja porositet të telefonojë. "Alo, unë jam një vajzë nga Tirana, që dua të njihem me ty, sepse më kanë thënë se je djalë i mirë. Nëse ke ndonjë rrugë nga Tirana, kur të vish më telefono që të lemë një vendtakimi". Kjo ishte telefonata e agjentes. Nga ana tjetër e celularit vjen përgjigjja. "Po, jam dakord të njihem. Unë jam duke ardhur në Tiranë. Lemë vendin e takimit". Pas kësaj bisede agjentja i kërkon djalit targën e makinës dhe i thotë se vendi më i përshtatshëm për të pirë një kafe është kryqëzimi te "21 Dhjetori". Djali bie dakord. Arrin i gëzuar deri në Tiranë se "fati" po i trokiste të njihte një femër kryeqytetase. Në orët e paradites sapo mbërrijnë në destinacion, makina ku ndodheshin Ardian Llapushi me kunatin e tij Elvis Perthi, ndalohet nga policia e qarkullimit, e cila kishte marrë targën më parë. Deri në këto momente, shoferi, që tani është i pandehur, pasagjerët nuk po kuptonin asgjë. Papritur ata janë rrethuar nga 40 policë, të cilët kanë marrë të gjithë pasagjerët dhe shoferin. Policia e Komisariatit numër 3 ka thënë se do të shoqëroheshin vetëm për një verifikim dhe më pas do të liheshin të lirë. Por kaluan 24 orë dhe askush nga tre personat e shoqëruar nuk u la i lirë. "Dashuria" kishte marrë fund pa nisur ende.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›