Greva e minatorëve, "ACR", e grevistë në të njëjtat pozicione

Duket se hendeku midis palëve në krizën e minierës së Bulqizës vijon të thellohet. As masat ekstereme të komisionit të grevës për bojkotimin e vitit të ri mësimor nga fëmijët e minatorëve si dhe kërkesën për nisjen e hetimeve për koncesionet, nuk kanë ndryshuar qëndrimin e frimës “ACR”.
Në kundërshti të kërkesave të minatorëve për përfshirjen e konfederatës në bisedime, Administratori i Përgjithshëm Giga Beidineshvili ka deklaruar për mikrofonin e “Ora News”, se nuk mund të jetë pjesë e marrëveshjes dikush që lufton për interesat e tij, ndërsa ai vijon më tej duke deklaruar se punimet janë ndërprerë pikërisht nga konfederata.
“Njerëz që janë përpjekur të manpulojnë situatën, dhe ta përdorin në favor të interesave personale dhe jo në favor të interesave të minatorëve, sigurisht nuk mund t`i pranojmë në tavolinë. Kompania ka nisur t`i kryejë këto punime. Punimet përgatitore kanë nisur dhe u ndalën në një pikë për shkak të grevës”, u shpreh ai.
Minatorët, të cilët refuzuan ftesën për t`u kthyer në punë, kanë vendosur gjatë mbledhjes së komisionit ditën e premte se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave dhe firmosjen e marrëveshjes në prani të Kol Nikollës.
“Oferta jonë e parë në takimin me minatorët ishte që ata të formonin një forum të vogël prej disa punëtorësh ku pjesë të ishin të gjithë minatorët, secili të përfaqësonte një pjesë të caktuar të minatorëve që të gjithë të ndjeheshin të përfaqësuar”, vijoi administratori i “ACR”.
Më tej Beidineshvili ka deklaruar se në minierë janë investuar 3 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit 2012 do të investohen edhe 8 milionë të tjera në përmbushje të kontratës koncesionare. Po ashtu ai deklaroi se është gati edhe projekti për thellimin e pusit numër 7, që përbën një ndër kërkesat e minatorëve.