E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e minatorëve, AK: Shteti të hetojë koncensionet e zeza

TIRANË- Në lidhje me grevën 19 ditore të minatorëve të Bulqizës, ka reaguar sot edhe lëvizja Aleanca Kuq e Zi, e cila i bën apel shtetit të mbështsë me cdo kusht minatorët.
“Aleanca Kuq e Zi, ka ndjekur me shqetësim të thellë gjëndjen e rënduar të minatorëve të ngujuar në galeritë e minierës së Bulqizës, e cila hyri sot në ditën e 19-të të saj. Duke marrë shkas nga gjëndja tejet e rënduar shëndetsore dhe nga mosgjetja e zgjidhjes për plotësimin e kërkesave të tyre, AK i bën apel shtetit shqiptar të mbështesë me cdo kusht minatorët dhe të garantojë plotësimin e të drejtave të tyre”, thuhet në deklaratën e AK.

AK deklaron se shteti nuk duhet të lejojë që minatorët të humbasin jetën në minierat e koncesionit të zi, sic thanë ata, pradaj shteti duhet të hetojë këto koncesione. Në deklaratë theksohet se minerat janë pasuri kombëtare dhe duhet të mbrohen me ligj duke mos lejuar degradimin e tyre.

“Minatorët janë qytetarë KuqeZi, dhe nuk duhen lejuar me indiferentizëm të humbasin jetën në minierat e koncesionit të zi. Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje autoriteteve respektive shtetërore të marrin masat e nevojshme për të hetuar koncesionet e zeza në vend dhe t`i japin fund biznesve për shitje licensash të tilla koncesionare, që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të vet. Atdheu nuk shitet në merkaton e pazareve të koncesioneve të zeza. Pasuritë kombëtare duhet të mbrohen me ligj, dhe të mos lejohet degradimi i tyre sic po ndodh me rastin e kësaj miniere ku është vënë re mungesa totale e kontrollit teknik nga ana e kompanisë menaxhuese. Aleanca Kuq e Zi konstaton se as në kohën e pushtimit, minierat nuk shfrytëzoheshin nga pushtuesit në mënyrë kaq primitive dhe pa investime. Fatkeqësisht edhe 70 vite më parë është investuar më shumë në miniera sesa në vitin 2011”, thuhet në deklaratën e AK.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›