Gjirokastër, zjarret vijojnë të pushtojnë dhjetra ha tokë

Zjarret vijojnë të pushtojnë dhjetëra hektarë kullota dhe pyje në qarkun e Gjirokastrës. Një tjetër vatër zjarri është shfaqur në Libohovë ku për disa orë pavarësisht masave të marra, zjarri nuk është vënë nën kontroll. Si pasojë tre banesa rrezikuan shkrumbimin nga flakët ndërkohë që një karburant u mbajt i izoluar nga zjarrëfikësit pasi gjuhët e zjarrit e vunë atë në mes. Vetëm disa minuta më vonë edhe në Pravishtë është shënuar një tjetër vatër zjarri, e cila shkaktoi djegien e disa hektarëve kullota. Ndërkohë edhe gjatë orëve të mbrëmjes mbi fshatin Dervician sërish ka patur një vatër zjarri, ndërkohë që disa minuta më pas një e tillë është shënuar përballë fshatit Lazarat. Kështu, vetëm gjatë muajit korrik dhe deri më sot në Gjirokastër janë shënuar 112 vatra zjarri çka e bën ashtu si edhe vitet e tjera qytetin me problematik për sa i përket këtij fenomeni. Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër iu bën edhe një herë thirrje të gjithë barinjëve dhe banorëve të fshatrave të komunave që të tregojnë kujdes, për të mos shkaktuar zjarr në kullota, pasi kjo është vepër penale dhe do të përgjigjen ligjërisht. Nga ana tjetër ka shkuar në 19 numri i personave të arrestuarve dhe atyre që po ndiqen penalisht për veprën penale të vënies së zjarrit me apo pa dashje. Kostandin Poçi nga komuna e Lunxherisë është personi i fundit që është arrestuar nga drejtoria e policisë qarkut Gjirokastër. Sipas të dhënave ky shtetas i ka vënë zjarrin një sipërfaqeje të madhe kullote duke shkaktuar diegien e saj pranë vendit të quajtur kodra e bllokut e komunës Lunxheri.