Takimi mes minatorëve e ACR, 6 sindikalistët mbërrijnë në Tiranë

Ka mbërritur në Tiranë përfaqësuesit e minatorëve të Bulqizës të cilët pritet të takohen sot me drejtuesit e kompanisë ACR për të arritur një marrëveshje për kërkesat e tyre.
Minatorët do të përfaqësohen nga 6 sindikalistët Luan Nika, Kujtim, Bushi, Sali Alliu, Fiqiri Shkina, Sadik Kamishi dhe Xhemal Meta ndërsa në takim nuk do të jetë kreu i konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla.
Takimi mes minatorëve dhe përfaqësueve të kompanisë ACR pritet të zhvillohet në orën 12:00 në ministrinë e punës por ende nuk dihet nëse këta të fundit do të marrin pjesë apo jo.
Në një prononcim për "Ora News", kreu i konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla theksoi se kompania ACR ka pranuar kërkesat e minatorëve megjithëse nuk ka ende asnjë komunikim institucional mes tyre.
Ai ka theksuar se nëse sot nuk do të arrihet në ndonjë marrëveshje atëherë minatorët do të vijojnë grevën e urisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre që sipas tij janë të ligjshme ashtu siç është edhe vetë greva.
“Na vjen keq që është dëmtuar ekonomia por nëse qeveria lejon një antikap të tillë nuk është faji ynë. Askush nuk dëshiron të ketë greva por kjo është e vetmja mënyrë për të plotësuar kërkesat tona” shtoi Nikolla.
Ndërkohë minatorët do të kërkojnë sot në takim, hapjen e thellësisë së minierës, rritjen e pagës nga 20-40 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe largimin e drejtorit të minierës.