E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e minatorëve, Koleci: Sërish padi ndaj Bedineishvillit

Minatorët e Bulqizës, do të ngrenë një tjetër padi civile ndaj administratorit të “ACR”, Giga Bedineishvilli.
Kreu i Sindikatave, Taf Koleci duke folur për mikrofonin e “Ora News”, në transmetimin live nga miniera e Bulqizës, deklaroi se gjendja e 13 minatorëve po përkeqësohet.
Po ashtu ai theksoi se minatorët sërish do të ngrenë padi civile ndaj administratorit të “ACR”.
“Ne i bëjmë thirrje firmës “ACR”, se do i bëjmë një tjetër padi civile zotit Giga Bedineishvillit. Ai së bashku me drejtues të “ACR” duan të shkatërrojnë institucionet. Ne këtë nuk do e lejojmë. Ata duan të anashkalojnë dy njerëzit drejtues të sindikatës, Kol Nikollën dhe mua”, u shpreh Koleci, për të shtuar se përfaqësues të minatorëve kanë qenë në Tiranë, por nuk janë pritur nga përfaqësuesit e “ACR”.
 

Gjendja shëndetësore e 13 minatorëve, të cilët ndodhen në grevë urie 1400 metra nën tokë, sa vjen e rëndohet. Një ekip mjekësor është futur sot minierë, për të ndihmuar me medikamente minatorët.
 

13 minatorët shprehen të vendosur për të vijuar grevën e tyre, deri në plotësimin e kërkesave. Minatorët kërkojnë rritje page, largimin e administratorëve të “ACR”, dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›