Greva e seksit
Edmond Tupja
Nga titulli, shkrimi që keni para syve, të dashur lexues e sidomos të shtrenjta lexuese, mund t’ju duket si diçka tejet zbavitëse, ku erotizmi, me gjasë, do të gërshetohet tepër suksesshëm me humorin Më vjen keq, por po të keni menduar kështu, do të zhgënjeheni deri diku. Gjithsesi, më mirë t’ju zhgënjej sesa t’ju gënjej. Pa e tjerrur shumë gjatë, puna qëndron kështu:
Para disa ditësh, duke zapuar, rashë krejt rastësisht, te kanali TV5 Monde, në një emision mbi dhunën me armë në Kolumbi dhe pikërisht në qytetin Pereira, në mos gabofsha, qytet ky shumë problematik për shkak të varfërisë së madhe e të përleshjeve midis bandave rivale; më saktë, bëhej fjalë për një nismë sa të çuditshme aq edhe origjinale të marrë fillimisht nga dhjetë gra të reja, pastaj nga tridhjetë, për t’i detyruar burrat e tyre – të gjithë të armatosur dhe pjesëtarë të kësaj apo asaj bande – të hiqnin dorë nga dhuna me armë. Për t’ia arritur këtij qëllimi, ato, pra, gratë e interesuara, kishin vendosur të ndërprisnin çdo marrëdhënie seksuale me burrat e tyre të rinj. Sigurisht, rezultatet e shpresuara kësisoj ende nuk po dukeshin në horizontin e jetës së dhunshme të qytetit, por ato gra ishin të vendosura dhe besonin në drejtësinë e çështjes së tyre.
Ndoshta këtë nismë duhej ta kishin marrë që në vitin e mbrapshtë 1997 gratë, të fejuarat, të dashurat apo partneret e atyre shqiptarëve që, aspak të paktë në numër, u armatosën në mënyrë të paligjshme dhe me pretekste nga më të ndryshmet. Por kjo nuk ndodhi dhe arsyet e kësaj ka të ngjarë t’i sqarojnë herët a vonë sociologët, psikologët ose seksologët. Sido që të jetë, meqë dhuna vazhdon edhe sot e kësaj dite në Shqipëri – dhunë në familje, dhunë në jetën e përditshme të shoqërisë, dhunë në sfera të veçanta, përfshirë edhe politikën –, nuk më duket e largët dita kur shqiptaret, pavarësisht qendrës së tyre të banimit – Tropojë, Mirditë apo Vlorë, Tepelenë, Librazhd apo Durrës, nën shembullin e kolumbianeve të Pereirës, do t’i drejtohen grevës së seksit për t’i ndërgjegjësuar burrat e tyre lidhur me domosdoshmërinë e ndalimit të akteve të dhunës me armë, por jo vetëm me to.
Pa diskutim që do të ishte mirë sikur gratë, burrat e të cilëve mbajnë armë pa leje në shtëpi, ta nisnin sa më shpejt këtë grevë, por jo vetëm ato. Krejt modestisht, unë do t’i shtyja edhe gratë e politikanëve, qofshin këta të pozitës apo të opozitës, që të bashkoheshin pa vonesë me grevistet e ardhshme të seksit në mënyrë që bashkëshortët e tyre t’i vënë gishtin kokës (e kam fjalën për gishtin e dorës dhe për kokën që kanë mbi supe) dhe të mos i fryjnë zjarrit të dhunës gjuhësore (se gjuha kocka s’ka, por kocka thyen!), e cila, tek i eksiton mendërisht militantët e partive të tyre, mund të shndërrohet në dhunë fizike pa armë, por edhe me to.
Ditën kur, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës apo të Bashkimit Europian, do të realizohej edhe në Shqipëri barazia gjinore në të gjitha strukturat e shtetit, pushtetit dhe shoqërisë, greva e seksit nga ana e femrave shqiptare do të kishte jehonë dhe pasoja jo vetëm brenda shtetit shqiptar, por edhe përtej kufijve të tij!
E vetmja pikëpyetje që më shqetëson është sikur, një ditë të bukur, për një arsye x ose y, meshkujt shqiptarë të vendosnin të bënin edhe ata grevën e seksit. Sigurisht, me një minimum imagjinate erotike, por jo vetëm të tillë, mund të përfytyrohen lloj-lloj variantesh, skemash e kombinimesh të mundshme (veçanërisht sikur të dy palët, meshkuj e femra, të bënin grevën e seksit në të njëjtën kohë), por mos shpresoni që unë t’ju përshkruaj tani disa prej tyre. Përse kështu? Sepse, kushedi, mund të bëj edhe unë grevën e seksit, me ose pa ju, të dashur lexues e sidomos të shtrenjta lexuese të këtij shkrimi pak ndryshe nga të tjerët!