Shqiptari kërcënon ish të dashurën me fotografi nudo
Një emigrant shqiptar ra në prangat e policisë italiane pas denoncimit nga ish e dashura e tij për një ngjarje të denjë për filmat e Hollivudit. Mediat italiane shkruanin dje se Hydajet Gjoni u arrestua nga policia pasi akuzohet se ka bërë shantazh ndaj ish të dashurës së tij se do t’i publikonte fotot nudo që i kishte bërë asaj në kohën që dy protagonistët ishin së bashku. Madje vajza ka shkuar më tej në denoncimin e saj, duke pohuar se presioni i emigrantit të saj nuk ishte shfaqur për shkak të ndarjes së çiftit por sipas saj, Hydajet Gjoni kishte kërkuar 5 mijë euro që të mos bënte publike fotografitë që dispononte. Vajza me origjinë nga Lukana, sipas mediave italiane ishte njohur një vit më parë me emigrantin shqiptar 25 vjeç, përmes komunikimit në internet në dhomat e bisedave virtuale (chat-room). Disa muaj më vonë mes dy të rinjve filloi një histori dashurie e cila mori fund në kohën kur vajza vendosi të ndahej nga emigranti shqiptar Hydajet Gjoni. Pas ndarjes, ky i fundit është akuzuar nga vajza dhe tani dyshohet nga policia se ka ushtruar shantazh në mënyrë të vazhdueshme për t’i marrë shuma të mëdha financiare ish të dashurës së tij. Kjo e fundit merrte kërcënime të vazhdueshme se fotografitë e saj ku ajo shfaqej lakuriq në momente intime do të bëheshin publike nëse nuk paguante 5 mijë euro. Vajza ka vendosur të denoncojë ndërsa karabinierët kanë ngritur akuzën e kërcënimit për qëllime përfitimi financiar dhe kanë organizuar aksionin për kapjen e shqiptarit që u arrestua në Prato. Mësohet se shqiptari 25-vjeçar punonte si murator dhe ishte pajisur me dokumente të rregullta qëndrimi në Itali dhe më pas, përmes internetit, kishte njohur vajzën e dëmtuar nga ngjarja. Sipas rrëfimeve të vajzës, pas bisedave në internet me emigrantin shqiptar, ata ishin takuar së bashku në sheshin kryesor tek “Basilikata”. Policia tha se pas ndarjes së çiftit kërcënimet nuk janë bërë vetëm ndaj vajzës por edhe ndaj familjes së saj. Emigranti shqiptar akuzohet se ka kërcënuar vajzën dhe të afërmit se do të publikonte në internet disa fotografi të ish të dashurës ku ajo shfaqej lakuriq, të cilat ajo ia kishte dërguar në celular. Shqiptari është arrestuar menjëherë pas denoncimit ndërsa gjatë deklarimeve të dhëna para hetuesve në paraburgim, ka hedhur poshtë akuzën duke mohuar kategorikisht autorësinë e kërcënimeve ndaj vajzës dhe familjes së saj.