E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampusi universitar, ja detajet e projektit për studentët

 

zirina llambro

Ideja e vjetër për ndërtimin e një kampusi universitar është tashmë  projekt konkret. I përgatitur nga aka-demikët më të kualifikuar të arkitekturës pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, do të ndryshojë kryekëput kushtet e mësimdhënies. Në krah të Korpusit, tek sheshi “Nënë Tereza”, ndërtesa e re studentore do të ngrihet mbi një sipërfaqe prej 70 mijë metra katrorë. Investimi që kap vlerën e rreth 40 milionë eurove, do të ketë si prioritet ambientet laboratorike, të cilat do të zënë raportet 30-40 % të sipërfaqeve ndërtuese. Studentët do të kenë mundësinë e rritjes së kërkesave të tyre formuese falë kushteve, ambienteve dhe mbi të gjitha, stafit imponues. Këtë pohon rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kacani. Ai sqaron gjithashtu se, projekt-ideja është dërguar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe është diskutuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Ky propozim ka gjetur gjithashtu përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe personalisht të Kryeministrit Berisha. Në intervistën e tij për gazetën “Panorama”, kreu i konferencës së rektorëve jep detajet mbi planet për shtrirjen e kësaj ideje edhe në universitetet e tjera publike në vend. Kacani pranon mungesat në infrastrukturë, si dhe nevojën imediate për të ndryshuar këtë situatë. Gjithaq ai thekson se, do të jetë krenar ndër shekuj ai që do të ketë nderin të vërë gurin e parë në kampusin e parë universitar.
Një kampus i ri për studentët e Universitetit Politeknik, në çfarë faze është ky projekt?
Projekti i kampusit universitar është një ide e re menaxhimi për universitetet shqiptare. Eshtë një ide që unë vetë personalisht e kam ngritur prej kohësh mbështetur në eksperiencën, që kam fituar në kualifikimet jashtë shtetit që në vitin 1993. Ngritja e kampuseve universitare do të bëjë të mundur që ne t’u afrohemi normave dhe standardeve evropiane të shkollimit në universitete. Kampusi universitar është aktualisht në fazën e paraqitjes së projekt-idesë, të cilën e kanë përgatitur stafet akademike më të kualifikuara të arkitekturës pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, është dërguar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, njëkohësisht është diskutuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe ajo që është më e rëndësishme, ky propozim ka gjetur përkrahjen dhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe personalisht të Kryeministrit Berisha.
Cilat janë kapacitetet e këtij kampusi dhe çfarë do të ofrojë të re ai?
Kampusi universitar ka për qëllim përmirësimin rrënjësor të cilësisë së përgatitjes së kuadrove të diplomuar në Universitetin Politeknik. Ai do të dyfishojë kapacitetet e vetë kampusit, duke realizuar një nga objektivat madhore të edukimit të brezit të ri në Shqipëri, atë të rritjes së kapaciteteve thithëse të universiteteve publike si universitete më cilësore, më me përvojë edukative, stafi të kualifikuar dhe bazë të nevojshme laboratorike. Kampusi do të sigurojë një përafrim me normat dhe standardet ndërkombëtare cilësore të edukimit universitar, një integrim të punës mësimore e shkencore, një grupim të kërkimeve ndërdisiplinare, një cilësi virtuale mësimdhënëse dhe mbi të gjitha, ajo çka është krenare, një prezantim dinjitoz në të gjithë treguesit cilësorë të shkollimit universitar inxhinierik. Jemi në shekullin e problemeve madhore inxhinierike të teknologjisë së informacionit, energjetike, ambientale, të infrastrukturës së transportit etj., të cilat me zhvillimin e tyre e kanë bërë botën sot shumë të vogël për t’u menaxhuar.
Projekti është ideuar nga stafi i universitetit që ju drejtoni, çfarë zgjidhjesh pritet t’i japë studentëve dhe vetë stafit mësimdhënës?
Projekti është ideuar së pari nga kërkesa e rritjes së cilësisë së përgatitjes së inxhinierëve, nga nevoja e zhvillimit intensiv të vendit ku projektet dhe implementimet inxhinierike kanë rolin parësor dhe të pazëvendësueshëm për përparimin intensiv, ku mendimi inxhinierik mund të përvetësohet dhe mandej të implementohet vetëm në kushte dhe norma, jo më normale por cilësore. Mbështetur në këtë siç ju thashë edhe më sipër, ideja ime ka qenë që prej fillimit të viteve ‘90. Në këtë kuadër ngritja e kampusit që kërkon afatin e vet kohor, parashikon një sipërfaqe ndërtuese prej 70 mijë metra katrorë me një vlerë investuese prej 40 milionë euro, ku ambientet laboratorike tepër të nevojshme dhe ndikuese në cilësinë e përgatitjes, do të jenë në raportet 30-40 % të sipërfaqeve ndërtuese. Studentët do të kenë mundësinë e rritjes së kërkesave të tyre formuese falë kushteve, ambienteve dhe mbi të gjitha, stafit imponues.
Në kohën kur raporti pedagog-student dhe hapësirë-student, është jashtë standardeve të Kartës së Bolonjës, a mendoni se duhet të ngrihen edhe kampuse të tjera të këtij niveli?
Jam totalisht i vendosur që kjo ide menaxhuese universitare është e nevojshme për të gjitha universitetet shqiptare dhe mbi të gjitha të universiteteve publike. Mendoj se do të jetë një nga krenaritë më madhore të qeverisë shqiptare, udhëheqja nga kjo filozofi menaxhuese universitare, e cila në integritetin e vet rrit çdo tregues, por mbi të gjitha treguesit cilësorë të vlerësimit të brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë deri në akreditimin e këtyre institucioneve fundamentale edukuese, çka është një kërkesë radikale e kohës së sotme ku në ëndërrojmë dhe dëshirojmë që të shkojmë.
A ka konferenca e rektorëve ankesa nga universitetet e tjera për infrastrukturën e pamja-ftueshme?
Pse të themi ankesa. Ato janë kërkesa dhe tepër legjitime në një shoqëri konkurruese, ku cilësia është përcaktuese. Eshtë një detyrim madhor i tërë shoqërisë shqiptare, detyrim parësor dhe imediat që kërkon sot zhvillimi i vendit. Do të jetë krenar ndër shekuj ai që do të ketë nderin të vërë gurin e parë në një kampus të tillë universitar, veçanërisht në kampusin inxhinierik si udhëheqës zhvillimi nëpë-rmjet drejtimit ndërtues e transformues.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›