Lsi dhe modeli ‘Berisha’ i komunikimit
Maklen Misha
Në qoftë se ka dy gjëra nga sjellja e pjesës më të madhe të politikanëve shqiptarë që, të bezdisin tej mase, këto janë paaftësia e tyre për të pranuar çfarëdolloj kritike për veten apo për politikat e tyre dhe liria që i lejojnë ata vetes për të vjellë vrer e për të hedhur baltë ndaj çdokujt që guxon të artikulojë ndonjë kritikë ndaj tyre. Natyrisht që, politikanët në mbarë botën nuk reagojnë mirë ndaj kritikave, por të paktën në vendet demokratike, ata mundohen t’i adresojnë ato duke dhënë, qoftë dhe sa për sy e faqe, argumente përse kritikat nuk qëndrojnë. Dhe natyrisht që, nuk mund të jetë ndryshe pasi liria për të kritikuar politikanët, qofshin ata në qeveri, opozitë apo diku në mes, është një ndër liritë themelore që mundëson funksionimin e një sistemi demokratik. Por, siç u tha më lart në Shqipëri kryesisht nuk ndodh kështu, gjë që provon më së miri se Shqipëria, megjithëse formalisht një vend demokratik, udhëhiqet nga një klasë politike me një mentalitet aspak të tillë.
Deri më sot kampioni i kësaj lloj sjelljeje ka qenë padyshim z. Berisha, dhe ai padyshim vazhdon të mbetet në krye të klasifikimit kur vjen fjala për të denigruar jo vetëm ata që e kritikojnë, por jo rrallë dhe çdo njeri që guxon të hedhë qoftë dhe një ide që nuk i shkon atij për shtat. Dhe aq shpesh e ka bërë këtë në këto 18 vjet, sa tashmë nuk habitet apo zhgënjehet më kurrkush kur ai lëshon sharjen ose ofendimin e radhës apo sponsorizon sulme të ulëta në shtypin e djathtë të lidhur me të. Në fund të fundit ky është Berisha dhe si zor të presësh që ai të ndryshojë në këtë moshë dhe pas 18 vjetësh që ndjek të njëjtën praktikë. Por, ajo që të habit dhe që të bën deri diku pesimist për të ardhmen e politikbërjes në Shqipëri, është fakti se në vend që politikanët e partitë të fillojnë të emancipohen e të braktisin modelin parapolitik “Berisha” të komunikimit me publikun e kundërshtarin, disa prej tyre kanë filluar ta adoptojnë atë. Dhe zhgënjimi bëhet edhe më i madh kur sheh se këtë model e ka bërë të sajin edhe një parti si LSI, që ende vazhdon të ngulë këmbë se përfaqëson një forcë me një frymë të re në baltovinën e politikës shqiptare.
Ashtu si dhe Berisha, LSI kohët e fundit ka treguar një paaftësi mbresëlënëse për të adresuar në mënyre qytetare kritikat që artikulohen në adresë të saj. Përkundrazi, reagimi standard i kësaj force, siç e tregon dhe përplasja e fundit me G99 apo me ndonjë analist të pavarur si Skënder Minxhozi, ka qenë që në vend që të adresojë kritikën, të sulmojë e të hedhë baltë ndaj kritikut. Pra, në vend të merret me mesazhin, LSI preferon të sulmojë mesazherin. Dhe natyrisht që një sjellje e tillë, hedh një hije mjaft të fortë dyshimi mbi pretendimin e LSI se është një forcë që udhëhiqet nga parimet, tolerante e me kredenciale të paqortueshme demokratike. Sepse, refuzimi për të pranuar se në një demokraci ka vend dhe për mendimin ndryshe; se në një demokraci është e pamundur që një forcë, cilado qoftë ajo, të ketë monopolin e të vërtetës; dhe se në një demokraci me domosdo do të të duhet të përballesh me kritika për veprimet apo vendimet e tua, nuk është aspak një ndër karakteristikat që e bëjnë një parti demokratike. Përkundrazi.
Por përtej pikëpyetjeve parimore e etike që ngre kjo mënyrë reagimi e LSI ndaj mendimit ndryshe, ajo mund të ketë dhe pasoja mjaft negative praktike për këtë forcë. Në fund të fundit kritikat që i kanë drejtuar LSI qoftë G99, qoftë analistë të tjerë të pavarur shqiptarë, nuk bëjnë gjë tjetër, por artikulojnë opinionin dhe shqetësimet e një pjese të opozitës dhe të atyre shqiptarëve për të cilët, përballë objektivit madhor që është largimi i Berishës nga pushteti në 2009, inatet apo hatërmbetjet e LSI nuk vlejnë dy groshë. Dhe këto shqetësime si zor të platiten me një qëndrim prej luleje mosmëprek, duke sulmuar personalisht ata që i artikulojnë. Kjo s’është gjë tjetër, por veç një mënyrë për të larguar vëmendjen nga çështjet reale e për ti mbyllur gojën kujtdo që merr guximin të thotë diçka që s’i shkon për shtat LSI. Frika se LSI më tepër se opozitë, po bën opozitën e opozitës, duke ndihmuar rrjedhimisht vetëm Berishën, nuk darovitet duke thënë se G99 apo kushdo tjetër, është bërë si bashkimet profesionale, apendiksi i Ramës apo budallallëqe të tjera si këto. Opinioni se LSI duke afruar pranë vetes mbështetësit më të zjarrtë të Fatos Nanos, vetëm e vetëm për të dëmtuar Partinë Socialiste e rrjedhimisht opozitën shqiptare, po humbet identitetin dhe misionin e saj, nuk kundërshtohet me ca sulme të ulëta e përçart nga autorë mediokër, e me një gjuhë që shkel çdo rregull të mirësjelljes e etikës. Akuza se LSI abuzoi me protestën e fundit qytetare kundër qeverisë duke shkelur marrëveshjen paraprake e duke u munduar të marrë padrejtësisht meritën e lidershipin për organizimin e saj, nuk mohohet duke akuzuar të madh e të vogël se janë të kapur, se po përdoren, apo duke bërë ca përcaktime të çuditshme se kanë “biseksualitete politike lavjerrëse” – çfarëdo që do të thotë kjo frazë. Dhe nëse LSI që tani reagon në një mënyrë kaq radikale e të shëmtuar ndaj çdo lloj kritike, çdo të ndodhte sikur nesër ajo të merrte drejtimin e ndonjë dikasteri apo ministrie? A do të ishte ajo vallë e hapur ndaj kritikave? Zot na ruaj!
Normalisht që LSI apo simpatizantët e saj mund t’i gjykojnë punët ndryshe dhe ata do të ishin krejtësisht të përligjur në qoftë se do të jepnin argumentet e tyre për të kundërshtuar këto analiza e akuza. Por, fakti që LSI dhe të gjithë ata që flasin në emër të saj, kanë zgjedhur rrugën më të lehtë e më cinike, duke sulmuar personalisht autorët e këtyre analizave, kritikave e akuzave, të çon të mendosh se LSI nuk ka argumente për t’i kundërshtuar ato. Dhe kjo, duhet përsëritur, hedh një hije mjaft të rëndë dyshimi mbi këtë parti dhe atë që ajo përfaqëson në të vërtetë.