E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse Rama nuk e do dorëheqjen e Berishës

Besjan Pesha 

Nga nxitimi i madh për të  nisur një dialog të paparë me të gjithë shqiptarët, z.Rama harroi që të publikonte enciklikën e tij të parë dhe ndoshta atë më të rëndësishmen,  Enciklikën e enciklikave, ose siç quhet ndryshe SUPER - ENCIKLIKA ...Sepse sigurisht ashtu si çdo grirëse sallate që të vjen në shtëpi së bashku me instruksionet e instalimit, edhe politika e re ka rregullat e saj, të cilat duhen mësuar përmendësh nga të gjithë qytetarët politikanë apo politikanët qytetarë. Prandaj e gjykova më se të arsyeshme që këtë enciklikë ta botoja vetë, duke i bërë kështu një shërbim gjithë shqiptarëve, të cilët ende sforcohen që të kuptojnë se çfarë meton të thotë z.Rama në tribuna, karrige bashkie apo partie apo në ndonjë kolltuk televizioni. ¨shtë e nevojshme që enciklika të qarkullojë, kështu që edhe anëtarët e Partisë Socialiste të kuptojnë se përse dialogu i z.Rama është i ndryshëm nga dialogët e mëparshme dhe përfshin vetëm z.Rama dhe asnjë tjetër. Gjithashtu kjo Enciklikë do të ndriçojë të gjithë ata të cilët ende nuk e kuptojnë se përse dreqin z.Rama nuk është dakord që kryeministri Berisha të japë dorëheqjen.
Koncepti i qytetarit
Një nga arritjet më të mëdha të politikës së re të ndjekur nga z.Rama dhe dishepujt e tij, është ndryshimi i konceptit të qytetarit. Nëse në mbarë botën qytetaria është e lidhur drejtpërsëdrejti me të drejtat politike dhe të drejtën e pjesëmarrjes në politikë të individit, politika e re e përjashton totalisht këtë mundësi dhe e cilëson si politikë të vjetër. Tanimë qytetarë do të quhen të gjithë ata të cilët pranojnë, kuptojnë, aprovojnë, ndjekin dhe përvetësojnë, shpërndajnë dhe mësojnë, krijojnë dhe prodhojnë fjalën e z.Rama e quajtur ndryshe “politikë e re”. Të gjithë ata të cilët nuk bien dakord me këtë koncept, jo vetëm që nuk janë qytetarë, por përkundrazi janë vetëm e vetëm politikanë të këqinj dhe të vjetër, që herë pas here ngrihen e bien nëpër bataqe të ndryshme. Këta individë jo vetëm që s’duhet të marrin pjesë në politikbërje, por duhet edhe t’u hiqet e drejta e votës, sepse janë një turp për Shqipërinë e re të shekullit të ri. Edhe pse në dukje ky koncept mund të përafrohet me konceptin e “njeriut të ri”, aq të njohur dhe të dashur për shqiptarët ju siguroj se është ende shumë larg tij. Për ta shpjeguar sa më qartë konceptin e qytetarit, po e ilustroj me disa shembuj:
Qytetarë janë të gjithë ata të cilët paguhen me rroga të mira dhe që nuk u dihet burimi i financimit, kanë minimalisht një laptop dhe një telefon mobil të shtrenjtë, kanë makina të mira dhe rrinë gjithë ditën brenda zyrave të tyre përveç rasteve kur u duhet të shkojnë e të flasin në ndonjë televizion kundër politikës së vjetër.
Politikë e vjetër quhen të gjithë ata individë të cilët jetojnë në kushte të vështira, nuk frekuentojnë jetën e shtrenjtë të natës apo ditës, të cilët protestojnë me inat dhe shpirt kundër qeverisë, të cilët guxojnë të kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe vijnë në protesta me parulla kundër tij.
Koncepti i politikanit
Sipas politikës së re të z.Rama dhe të ndjekur nga dishepujt e tij, politikani është qenia më e tmerrshme që ekziston mbi dhe. Të gjithë ata që e quajnë veten politikanë nuk janë gjë tjetër veçse përbindsha që jetojnë duke i pirë gjakun popullit. Të jesh politikan do të thotë automatikisht që je hajdut i fondeve publike, që merresh me afera korruptive të tmerrshme dhe që në asnjë mënyrë nuk respekton parimin e përfaqësimit demokratik. Të gjithë përfaqësuesit e popullit në parlament, të cilët nuk janë pjesë e politikës së re të z.Rama, automatikisht quhen politikanë, ndërsa pjesa tjetër quhen qytetarë (sipas konceptit të qytetarit të shpjeguar më sipër).
Kështu si rrjedhojë politikanë kanë qenë dhe janë të gjithë ata që ditën mbas shpërthimit të Gërdecit dolën dhe kërkuan me forcë dorëheqjen e Sali Berishës, duke e cilësuar si përgjegjës. Qytetarë ishin të gjithë ata që i rrahën shpatullat dhe e siguruan për vazhdimësinë e pushtetit të tij. Politikanë ishin dhe janë të gjithë ata të cilët guxojnë të pengojnë kthimin e Prokurorisë në institucion vartës të Berishës. Qytetarë të mirë janë të gjithë ata që i dhurojnë një ligj Berishës që ta kontrollojë sa më shumë këtë institucion.
Absolutisht nuk mund të quhet politikan kryetari i Partisë Socialiste. Gjithashtu posti i kryebashkiakut nuk është aspak post politik. Po ashtu të ndryshosh Kushtetutën për 3 orë nuk mund të quhet akt politik, por përkundrazi të denoncosh këtë masakër kushtetuese është politikë dhe shumë e vjetër bile. Të organizosh një protestë të heshtur nuk është politikë, por të organizosh mijëra studentë kundër përgjegjësit të tragjedive kombëtare është politikë e vjetër. Të bësh pazar me Berishën në kurriz të gjelbërimit të Tiranës nuk është politikë, por ta denoncosh atë dhe të përpiqesh ta frenosh është politikë e vjetër.
Pra, si më sipër, Kryetari i Partisë Socialiste nuk është politikan, por qytetar dhe posti i tij nuk ka lidhje me politikën, ndërsa gjithë të tjerët që nuk e ndjekin dhe guxojnë të kritikojnë mënyrën se si e ushtron qytetarinë e vet janë politikanë.
Koncepti i Opozitës
Opozitë quhet periudha e të priturit me duar në xhepa dhe pa bërë shumë zhurmë demontimin e qeverisë Berisha dhe dorëzimin vullnetar nga ana e tij e pushtetit. Opozitë, sipas politikës së re të z.Rama të ndjekur nga dishepujt e tij, është kur deputetët e saj bashkojnë votat me maxhorancën për t’i dhuruar të dyshuarit për vrasjen e Kosta Trebickës më shumë pushtet politik dhe kontroll të plotë mbi parlamentin. Opozitë quhet kur gjysmat e lejeve të ndërtimit në Tiranë i përfiton dhëndri i kryeministrit, sigurisht në funksion të zhvillimit të metropolit. Po ashtu opozitë quhet kur protestat janë të heshtura, të organizuara në formën e paradave dhe pa asnjë qëllim final. Opozitë quhet kur shkon në disa fshatra dhe nuk dëgjon asgjë nga ato që të thonë e nuk thua asgjë nga ato që dëgjon në foltoret e përfaqësimit. Opozitë quhet kur nuk kërkon mocion mosbesimi për kryeministrin Berisha dhe kur nuk aprovon ngritjen e komisionit hetimor për tragjedinë e Gërdecit. Por mbi të gjitha opozitë është këmbimi i institucionit të Prokurorisë me dyzimin e mandatit të kryebashkiakut. Prokuroria duhet të kontrollohet nga Sali Berisha, ndërsa Edi Rama duhet të mbajë dy mandate. Të gjithë ata që dalin jashtë formatit të kësaj mënyre të të bërit opozitë nuk janë gjë tjetër veçse politikanë.
Super – Enciklika është sigurisht më e detajuar, por unë u përpoqa të sjell në vëmendje vetëm esencën e saj. Pyetja që mua më ka lindur prej kohësh e besoj po i lind në kokë çdo shqiptari e i drejtohet Edi Ramës dhe dishepujve të tij është; Ore, seriozisht mendoni se jemi kaq budallenj ne shqiptarët???

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›