E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet, Shqipëria në eurozonë pas vitit 2020



Albert Gjoka

Shqipëria do të jetë në eurozonë vetëm pas 11 vjetësh. Ky parashikim është bërë pas sondazheve të publikuara dje nga “Reuters”, i cili ka dalë në përfundimin se vendi ynë, Turqia dhe Bosnja do të jenë tre vendet e fundit të Europës Juglindore që do t’u bashkohen mekanizmave të përbashkëta të tregut europian vetëm në vitin 2020. Ky parashikim shkon shumë larg deklaratave të kryeministrit Berisha dhe mbështetësve të euroizimit të ekonomisë shqiptare, të cilët kërkojnë futjen sa më të shpejtë të monedhës europiane në qarkullim. Kjo çështje u diskutua rreth dy muaj më parë nga kreu i qeverisë shqiptare, zoti Berisha, gjatë një takimi me bankierë shqiptarë dhe të huaj. Por, deklarata e kryeministrit Berisha për heqjen në një kohë sa më të shpejtë të lekut dhe zëvendësimin e tij me euro u reflektua me zhvlerësim të monedhës kombëtare.
Sondazhi
Sondazhet e realizuara së fundi për përfshirjen e vendeve të Europës Juglindore në Eurozonë tregojnë se Shqipëria ka për të bërë një rrugë të gjatë. Xhonatan Kabëll (Jonathan Cable) i agjencisë së njohur të lajmeve “Reuters”, në një shkrim të publikuar dje, nxori rezultatet e një sondazhi për kohën e futjes së euros në qarkullim tek ekonomitë e vendeve të rajonit. Shteti i parë që do t’i bashkëngjitet bllokut 17-anëtarësh të Eurozonës do të jetë Estonia, e cila do ta finalizojë këtë proces në vitin 2011. Ka shanse të mira që ky vend të jetë në Eurozonë në vitin 2011, nëse plotëson gjatë këtij viti kushtet e përcaktuara nga Traktati i Mastrihtit”, - thotë Ralf Uigert. Lituania nuk po arrin t’u përmbahet kushteve për shkak të deficitit buxhetor që arriti 10 për qind këtë vit, ndërsa në vitin 2010 pritet të jetë në 8.5 për qind. Edhe Latvia, anëtarja tjetër e BE-së, nuk e ka të shpejtë hyrjen në Eurozonë për shkak të deficitit prej 9.5 përqindësh që ka këtë vit. Vetëm 2014-a mund të jetë koha e përshtatshme për të hyrë në bllokun e ekonomisë europiane. Në anën tjetër, Sllovakia, e cila iu bashkua këtë vit Eurozonës, po shfaq probleme të mëdha në ekonominë e saj të brendshme. Estonia mund të plotësojë kushtet e mekanizmit të nivelit të shkëmbimit të BE-së (ERM-2) në vitin 2011. Sondazhet tregojnë se Çekia, Bullgaria, Hungaria, të ndjekura edhe nga Polonia, do të hyjnë në ERM-2 në vitin 2012, ndërsa Rumania një vit më vonë. Në vendet e rajonit, Kroacia parashikohet t’i bashkohet Eurozonës në vitin 2012, ndërsa katër vjet më vonë në grupin ekonomik europian pritet të jenë edhe Maqedonia dhe Serbia. Mali i Zi mund të jetë pjesë e Eurozonës në 2015-n, por mund të shkojë deri në 2020-n, kohë e parashikuar për të pranuar edhe Shqipërinë, Bosnjën dhe Turqinë. Nigel Rendell thotë se zgjerimi i brishtë i BE-së me vende anëtare nga Europa Qendrore dhe Lindore do të ngadalësojë procesin e anëtarësimit.
Deklarata
Kryeministri Berisha ka deklaruar në muajin shtator se është në interesin e ekonomisë shqiptare që të fusë në qarkullim, në një periudhë sa më të shpejtë, monedhën europiane. Sipas tij, tregu i BE-së ushtron presione mbi sistemin ekonomik në vend, duke shkaktuar shpeshherë edhe zhvlerësimin e monedhës kombëtare. Kjo pasohet me rritje çmimesh të importeve, me mungesë valute në treg dhe disa pasoja të tjera. Idenë për euroizimin e ekonomisë shqiptare e kanë hedhur edhe më parë ekspertë të njohur të ekonomisë, përfshirë edhe ish-këshilltarin e kryeministrit Berisha, që sot është deputet, Selami Xhepa. Por, deklarata e Berishës për heqjen e monedhës kombëtare shkaktoi ndikim në tregun e këmbimit dhe reagime tek ekspertët. Ministri i Financave, Bode, por edhe guvernatori Ardian Fullani pohuan se leku është monedhë kombëtare dhe do të jetë në qarkullim edhe për shumë vjet të tjera. Të gjithë specialistët e fushës pohojnë se heqja e monedhës tonë nga qarkullimi dhe futja e Shqipërisë në Eurozonë nuk mund të bëhet përpara vitit 2020, pasi është një proces i vështirë dhe kërkon standarde të larta ekonomike dhe financiare.

BSA, masa kundër piraterisë kompjuterike

TIRANË - Organizata e industrisë së programeve kompjuterike për promovimin e një bote dixhitale të sigurt dhe të ligjshme, Business Software Alliance (BSA), ka filluar aktivitetin e saj në Shqipëri, duke paralajmëruar masa për të luftuar piraterinë e programeve kompjuterike. “Duke filluar nga ky moment, kjo organizatë do të kontrollojë të gjitha programet kompjuterike të institucioneve shtetërore, si dhe të bizneseve të pranishme në treg, për të vërtetësuar licencimin e tyre”, - thuhet në njoftimin zyrtar të BSA-së. Sipas një studimi mbi piraterinë në vend të kryer nga, IDC Global Software Piracy Study të 2008-s, është konstatuar se 77% e programeve kompjuterike në përdorim në Shqipëri janë të palicencuara. Kur programet janë të palicencuara, përdorimi i tyre konsiderohet i jashtëligjshëm. BSA tashmë do të bëhet e mundur identifikimi i të gjithë programeve të palicencuara. Në qoftë se pas identifikimit nuk do të merren masa për licencimin nga ana e kompanive, gjoba për këtë mosveprim arrin deri në 1 000 000 lekë. Madje, ndëshkimi mund të shkojë deri në dy vjet burg për përdoruesit piratë të programeve. Në lidhje më këtë çështje u zhvillua dje në Tiranë një konferencë ku ishin të ftuar Xhorxh Herrnliben (George Herrnleben), drejtori i BSA-së për Europën Qendrore dhe Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, Genc Boga dhe Renata Leka të kompanisë “Boga&Associates” dhe përfaqësues të institucione shtetërore. “Përqindja e piraterisë së programeve kompjuterike në Shqipëri është një nga më të lartat në Europë”, - tha George Herrnleben. Pirateria e programeve kompjuterike në Shqipëri pengon zhvillimin e këtij sektori, i cili është burim konstant të ardhurash, sidomos në periudha të tilla të vështira ekonomie.

Kursi i kembimit

Lekë për njësi të monedhës së huaj

Dollari Amerikan USD 91.77 -0.25
EURO EUR 137.90 -0.15
Poundi Britanik GBP 152.86 -0.84
Franga Zviceriane CHF 91.37 -0.05
Jeni Japonez (100) JPY 102.13 +0.05
Dollari Australian AUD 85.43 -0.11
Dollari Kanadez CAD 87.74 +0.58
Ari(OZ 1) XAU 102229.69 +1,062.69
Argjend(OZ 1) XAG 1610.53 +14.83

Burimi: BSH, përditësimi i fundit: 12:09:06, 11.11.2009

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.25%
12M 12-mujor 7.77%
6M 6-mujor 6.68%
3M 3-mujor 5.82%
1M 1-mujor 5.13%
1Ë njëjavor 4.88%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.91%
1Ë njëjavor 6.25%
o/n njëditor 5.88%
12M 12-mujor 9.45%
6M 6-mujor 8.33%
3M 3-mujor 7.32%

Burimi: BSH, përditësimi i fundit: 10.11.2009

12 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›