Zbehen shpresat e shtetit shqiptar për të ekstraduar Ilir Kumbaron
Laureta Rryçi
Zbehen shpresat për shtetin shqiptar që të realizojë me sukses procedurën e ekstradimit për Ilir Kumbaron. Kërkesa e djeshme e avokatëve për të shtyrë seancën e apelimit për një datë të mëvonshme ka dhënë sinjalin e parë që vendimi për Kumbaron ende nuk është përcaktuar 100 për qind nga Gjykata e Londrës. Kështu që vazhdon të mbetet ende mister koha se kur do të vihet në dispozicion të Drejtësisë shqiptare Ilir Kumbaro, i cilësuar si njeriu kyç në zhdukjen dhe rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Për të dytën herë, avokatët e ish-drejtorit të Drejtorisë së Parë të SHIK-ut për Tiranën i kanë kërkuar Gjykatës shtyrjen e procesit të apelit, i planifikuar të zhvillohej paraditen e djeshme.
Kërkesa
Disa javë më parë, avokatët e Kumbaros, nga kompania avokatore “Newmans LLP”, i kërkuan Gjykatës më shumë kohë për të përgatitur apelin, pasi ishin në pritje të një raporti hartuar nga një ekspert në Tiranë. Raporti, që ka mbërritur në Londër disa ditë më parë, mësohet të jetë tejet i detajuar mbi situatën politike dhe në veçanti për sistemin e Drejtësisë shqiptare, duke u kthyer në një element të fortë për palën mbrojtëse. Mësohet gjithashtu se gjykata “Royal Court Of Justice” tha se ende nuk është vendosur një datë fikse se kur do të zhvillohet seanca e ardhshme e apelit. Por gjasat janë që ky proces të rifillojë në fillim vitin e ardhshëm.
Vendimet
Fillimisht, më 24 mars 2009, gjykatësi Haeard Riddle dha një vendim pro ekstradimit të Ilir Kumbaros, pasuar më pas me firmosjen e certifikatës së ekstradimit nga sekretari britanik i Shtetit.
Ilir Kumbaro, përmes avokatëve, i apeloi këto dy vendime që i lejojnë shtetit shqiptar ekstradimin e tij nga Britania e Madhe. Ndërkohë, dy avokatë të tjerë po merren me proceset gjyqësore që Kumbaro ka në Shqipëri. Kumbaro është një nga të pandehurit për zhdukjen e Remzi Hoxhës, proces i cili po zhvillohet aktualisht në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Shqiptarët e dënuar nga gjykatat greke futen në grevë
Dhjetëra të dënuar shqiptarë, që ndodhen aktualisht nëpër burgjet greke, prej disa ditësh kanë nisur një grevë urie. Sipas të përditshmeve greke, të dënuarit shqiptarë kanë kërkuar plotësimin e dy kushteve. E para ka të bëjë me kushtet dhe cilësinë e ushqimit që u jepet nga administrata e burgjeve dhe e dyta, me dënimet raciste që kanë dhënë gjykatat vetëm për emigrantët shqiptarë.
12 Nentor 2009