E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë, përkeqësohet gjendja shëndetësore e minatorëve

Asnjë ambulancë nuk u qëndron pranë minatorëve, ndërsa për ta kanë nisur problemet e para shëndetësore

BULQIZË Dhimbje koke, marrje mendsh, të fikët. Kjo është situata e fundit e 10 minatorëve grevistë në Bulqizë. Greva ka nisur të hënën pa u gdhirë dita dhe vijon ende. Burime të sigurta informacioni thanë për gazetën “Mapo” se për minatorët grevistë kanë nisur problemet shëndetësore, ndërkohë po tregohet kujdes i pakët për t’u ardhur atyre në ndihmë. Sipas kryetarit të këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, gjendja e grevistëve sa vjen e rëndohet. “Grevistët kanë shfaqur probleme shëndetësore, ndërkohë nga ana e drejtorisë së shëndetësisë në rrethin tonë nuk tregohet kujdes. Këtu pranë grevistëve qëndron një ambulancë, ndërkohë që nuk bëhet fjalë për një mjek që duhet të qëndronte pranë minatorëve të ngujuar. Ata kanë nevojë për trajtim mjekësor në çdo kohë. Nëpërmjet medias i bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjë që DSHP Bulqizë të dërgojë një mjek pranë grevistëve, ndryshe situata do të vijë duke u përkeqësuar” - nënvizoi Përkoxha. Ai tha gjithashtu se një ditë më parë, së bashku me sindikalistët e tjerë, Taf Koleci e Baki Bajraktari i janë përgjigjur pozitivisht Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, pas padisë që ka bërë Avokatura e Shtetit ndaj drejtuesve sindikalistë për “shpërdorim të pronës publike”. “Ne u paraqitëm në orën dhe datën e caktuar në gjykatë, ndërkohë ata që na kanë paditur padrejtësisht nuk erdhën”, tha ai. Në një mbledhje që zhvilloi dje këshilli sindikal vendosi vijimin e grevës së urisë dhe zhvillimin e protestave, duke tentuar bllokimin e rrugëve nacionale dhe policisë për të hyrë në mjediset e ACR-së. Sipas tyre, Ministria e Brendshme nuk duhet të harxhojë kaq shumë para dhe fuqi policore për të mbrojtur një firmë fantazmë. Po ashtu, Përkoxha e kolegët e tij thanë se ACR vazhdon të këmbëngulë në mbrojtjen e drejtorit të minierës, Medat Zogu. “Pa largimin e tij nga drejtimi i minierës, nuk do të nisë puna në galeri”-thanë sindikalistët e Bulqizës.P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›