E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen 5 grabitës, angazhohen 3 komisariate

Operacioni “Zona e Pastër” është shtrirë në tre qytete, ndërsa tashmë janë dokumentuar rastet e vjedhjeve

ELBASAN Tre komisariate të drejtorisë së policisë në Elbasan, Gramsh, Peqin e Elbasan, kanë finalizuar gjatë orëve të natës së kaluar një operacion të koduar me emrin domethënës “Zonë e Pastër”. Në pranga të policisë kanë rënë 5 hajdutë të cilët kishin kohë që survejoheshin nga shërbimet e policisë për aktivitetin e tyre të dënueshëm. Kështu nga komisariati i policisë Gramsh është arrestuar Artur Xharo, 28 vjeç, me banim në Pishaj të Gramshit, pasi dyshohet se është autor i vjedhjes së 1 milion lekëve të vjetra shtetasit I. Shima me banim në Rrogozhinë. Në të njëjtën kohë shërbimet e hetimit dhe të parandalimit të krimit të komisariatit të policisë Peqin bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Ilir Carko, 19 vjeç, me banim në këtë qytet, pasi nga verifikimeve e kryera rezultoi se është autor i vjedhjes së 220 kg hekur me qëllim shitjen për skrap, të cilin e kishte vjedhur në banesën e shtetasit B.K. 57 vjeç me banim në Peqin. Operacionet kanë vazhduar më tej nga shërbimet e komisariatit të policisë në Elbasan, të cilat në orët e para të mëngjesit arrestuan në flagrancë Met Lamcjan, 45 vjeç, me banim në fshatin Gjergjan, i punësuar si roje në komunën Gjergjan-Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas është autor i dyshuar i vjedhjes së 4 milion lekëve në arkën e kësaj komune. Gjithashtu ai akuzohet edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në pranga kanë rënë edhe Kastriot Buzani, 21 vjeç; dhe Skënder Trimi, 23 vjeç, me banim në Cërrik, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se janë autorë të dyshuar të disa vjedhjeve të kryera në qarkun e Elbasanit. Dje ata u kapën duke vjedhur dyqanin në pronësi të shtetasit M.S. me banim në Cërrik. Ndaj autorëve të mësipërm janë ngritur akuzat e vjedhjes dhe vjedhjes së kryer në bashkëpunim. Veprat penale të vjedhjes zënë numrin më të madh të procedimeve penale në polici dhe gjykatën e Elbasanit. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›