Greva e urisë, 4 përfundojnë në spital
Aristir Lumezi
Pas gjashtë ditë greve urie, gjendja e të ngujuarve sa vjen dhe përkeqësohet. Sot 200 grevistët mbushin një javë që kanë hyrë në çadrën përpara zyrës së Sali Berishës dhe Jozefina Topallit, ndërsa 4 prej tyre i janë drejtuar me urgjencë spitaleve. Demo Muhaj nga Tirana u transportua dje në mesditë në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi mjekët që ndjekin gjendjen e grevistëve, e panë të udhës mjekimin më të specializuar për të. Duke folur për situatën aty brenda çadrës, deputeti i qarkut Lezhë, Gjovalin Kadeli, tha dje se situata përkeqësohet nga minuti në minutë. “Situata në grevë përkeqësohet nga minuti në minutë, është dita e gjashtë që po jep shenja lodhjeje, dhembjeje pothuajse në pjesën më të madhe të grevistëve”, shprehet Gjovalin Kadeli, deputet i PS.
Protesta dhe greva e urisë së deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të tyre hyrë sot në ditën e shtatë dhe Kadeli thotë se do të vazhdojë deri në vetëflijim. Situata shëndetsore e grevistëve ka vijuar me problemet tashmë të njohura, luhatje tensioni, dhembje koke dhe më pak energji se një ditë më parë. Më të shumtë kanë qenë grevistët që kanë marrë serum, ndërsa dje ekipi i mjekëve i ka bërë pothuaj të gjithëve një kontroll mjekësor, për të parë funksionimin kardiovaskular të tyre, pas ditës së gjashtë të mosushqyerit të tyre. Robert Lili, një grevist nga Elbasani, shprehet i vendosur të qëndrojë deri në fund të saj. “Sapo mora njoftimin se përveç deputetëve do të hynin në grevë edhe qytetarë e simpatizantë të PS, isha i pari që i kërkova Agim Lekës të më regjistrojë emrin në listën e tij. Ky vendim erdhi vetiu nga brenda, por ditët që po vijojnë më shtojnë bindjen se është nga ato vendime që ia vlen të merren. Entuziazmi që të krijohet çdo pasdite nga protesta e qytetarëve, të bën të mos kesh mendjen tek mungesa e ushqimit”, u shpreh Lili. Ai tregon se momentet më të vështira në çadër për të janë kur aty vijnë dy vajzat e tij, të cilat i takon tek kangjellat e nga të cilat merr vetëm kurajo. Por dje edhe një tjetër deputet u mallëngjye nga një vizitë surprizë. Në çadrën e grevës kanë mbërritur dje dy djemtë e Skënder Hasës, deputet i Peqinit nga qarku i Elbasanit, i cili nuk mundi të fshihte mallëngjimin e këtij çasti.
çadra
Që në hyrje të çadrës ku zhvillohet greva të bien në sy dy flamuj të NATO-s, që qëndrojnë aty si përgjigje ndaj djegies se flamurit të aleancës ditën e parë të protestës e për të cilën PD adresoi akuza të rënda ndaj PS. Por në brendësi të saj, në muret e çadrës të bien në sy flamuj të PS, të NATO-së dhe të BE-së, pa harruar se kudo sheh flamurin kombëtar. Përveç Edi Ramës dhe mjekëve në çadër, në mëngjes rreth orës 9:00 dhe në mbrëmje pas protestës, kreu i grupit parlamentar Ruçi zhvillon takime me deputetët socialistë, me të cilët diskuton problematikën e ditës dhe merr prej tyre propozimet, pasi ata nuk mund t’i bashkohen pjesë tjetër të grupit. Ajo që të bën përshtypje tek i hedh një sy çadrës së grevës, janë disa slogane që vetë grevistët kanë shkruar si “Forca çunat e Vlorës”, “Elbasani, ne jemi këtu derisa fitorja të vijë”. Gjithashtu ka shumë foto që grevistët kanë bërë me kryesocialistin Rama gjatë ditëve të tyre aty. Por këndi i çadrës ku qëndrojnë gratë greviste bie në sy që larg. Qoshja e çadrës ku janë vendosur krevatët e grave ishte e mbushur dje me shumë buqeta lulesh, të dërguara nga qytetarë të Tiranës dhe familjarët e tyre. Buqetat e luleve mbërritën dhe si reagim ndaj kërkesave të vazhdueshme të deputeteve të PD që i kërkojnë Edi Ramës që ato të ndërpresin grevën e urisë për humanizëm. Ledi Shamku në një kënd të çadrës kishte vendosur dje një vizatim të djalit të saj që ia kishte çuar ai vetë. Jeta në çadër ka shumë solidaritet mes grevistëve, ku janë thyer ndasitë e qarqeve, ndërsa pasditja i bën ata më optimistë.
Mjekja Klodiana Spahiu
Mjekja Klodiana Spahiu tha dje se “aktualisht gjendja është rënduar, pacienti, Demo Muhaj që sapo nxorëm që çuam në spital ka qenë me krizë hipertesive. Pati një gjendje më humbje të ndërgjegjes, u ndërhy në gjendje të menjëhershme në infermieri, pastaj e detyruam ta çonim në spital, kundër dëshirës së tij, sepse ai nuk donte kurrsesi që të largohej. Por duke qenë një i sëmurë më sëmundje kronike me hipertension, ishim të detyruar që ta dërgonim në spital. Situata sa po vjen dhe po rëndohet, tashmë grevistët po paraqesin simptoma të dhimbjes së muskujve, të uljes së tensionit, ka filluar në disa raste edhe diarreja”.