E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Imuniteti pengon hetimin e zyrtarëve të lartë



TIRANE – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, tha dje se imuniteti është pengesë në hetimin e aferave korruptive dhe pasurisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë. Duke rikonfirmuar një shqetësim të artikuluar edhe tri ditë më parë nga drejtuesit e Task-Forcës Antikorrupsion në Prokurori, Ina Rama tha dje se imuniteti në disa raste ka qenë pengesë në hetimet e prokurorisë, por edhe në fazën e gjykimit të çështjeve penale ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme, asaj të Financave, SHISH-it, ILDKP-së dhe institucioneve të tjera ishin të pranishëm dje në 1-vjetorin e nënshkrimit të memorandumit të përbashkët për krijimin e Njësive Antikorrupsion. Në këtë takim, Prokurorja e Përgjithshme ngriti shqetësimin për pengesat që krijon imuniteti i zyrtarëve të lartë në hetimin e tyre për korrupsion. “Vihet re në mënyrë të veçantë rritje e numrit të kallëzimeve të depozituara nga shtetasit për veprat penale, kryesisht me natyrë korruptive. Ky tregues flet për një pritshmëri të lartë të publikut në drejtim të një pune profesionale dhe me integritet të lartë të këtyre strukturave”, tha Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Sipas saj, ushtrimi i ndjekjes penale në këto raste kërkon përkushtim dhe kurajë, kërkon profesionalizëm dhe vendosmëri, kërkon besimin e madh në vetvete se po lufton me armikun më të rrezikshëm dhe më desktruktiv për vendin në këto momente. “Të gjithë e dimë që ndërtimi i një procesi penal ndaj një zyrtari të korruptuar apo ndaj një biznesi të rëndësishëm është një proces jo i lehte së pari, për shkak të specifikave të hetimit të këtyre lloj veprash penale dhe së dyti, për shkak të peshës së personave apo interesave të prekura nga hetimi”, evidentoi Kryeprokurorja Ina Rama. Ajo tha se po kaq i vështirë ka rezultuar përgjithësisht edhe procesi i gjykimit të kësaj kategorie veprash penale. Ministri i Financave, Ridvan Bode, i pranishëm në takimin e djeshëm, tha se Qeveria ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur Njësinë Task-Forcë. Sipas Bodes, në bashkëpunim me prokurorinë, vitin e kaluar janë sekuestruar 4 milionë euro pasuri, ndërsa janë referuar 194 raste penale për pastrim parash. Po kështu janë bërë edhe 160 referime dosjesh penale për krime në fushën e doganave. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›