Kriza, Basha drekon me ish-Kryeministrin Nano
ADI SHKEMBI
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dre-kon me ish-Kryeministrin Fatos Nano. Pak javë pas takimit të Nanos me Kryeministrin Berisha në Vjenë, ish-kreu i Partisë Socialiste është parë dje së bashku me Bashën në një nga restorantet e kryeqytetit. Burime nga ky takim nuk japin shumë detaje për përmbajtjen e kësaj dreke, por bëjnë të ditur se një prej temave të diskutuara ka qenë edhe situata e fundit politike dhe greva një javore e nisur nga deputetët e Partisë Socialiste. Dreka mes tyre ka ardhur në vazhdën e negociatave që palët po zhvillojnë për nxjerrjen e vendit nga kriza. Ndërkohë si Basha, ashtu edhe Nano kanë shprehur dëshirën për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës. Së fundi ministri i Brendshëm tha se, nëse PD e LSI do ta propozojnë, ai do të futet në garë. Mësohet se ish-lideri i PS-së ndodhet prej një jave në Tiranë dhe gjatë kësaj kohe ka pasur një takim edhe me ish-Presidentin Rexhep Mejdani dhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti.
Takimet e Nanos
Gjatë kësaj periudhe 1-vjeçare kanë qenë të shumta takimet dhe drekat e ish-Kryeministrit Nano dhe krerët më të lartë të Partisë Demokratike. Në shkurt të vitit të kaluar, Lulzim Basha, si ministër i Jashtëm u takua me Nanon në periferi të Tiranës dhe në atë kohë kjo lëvizje u pa si ndikim i ish-kreut të PS-së në bazën socialiste përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Takimi u pasua nga një intervistë televizive e ish-Kryeministrit në emisionin “Opinion” ditën e publikimit të listave të kandidatëve për deputetë, ku ai kritikoi ashpër mënyrën se si Rama po drejtonte PS-në. Në fund të vitit të kaluar lideri historik i së majtës është takuar me ministrin e Financave, Ridvan Bode. Takimi mes tyre erdhi dy ditë përpara protestës së paralajmëruar nga opozita në 20 nëntor, ndërkohë që si për koincidencë edhe takimi mes Bashës e Nanos vjen vetëm dy ditë para protestës së të dielës përpara Kryeministrisë. Takimi i fundit i Nanos me krerët e PD-së është ai në Vjenë me Kryeministrin Sali Berisha, pas dorëzimit nga kreu i Qeverisë të pyetësorit për marrjen e statusit të vendit kandidat në Komisionin Evropian.