Turizmi, Berisha: Të nisë pastrimi i rrugëve
Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar dje pastrimin sa më shpejt të vendit, veçanërisht të zonave turistike nga skeletet e makinave të prishura. Kreu i Qeverisë ka mbledhur në mesditë Task-Forcën për vlerësimin të problematikave mjedisore, që shkaktojnë mbetjet urbane dhe makinat e dala jashtë përdorimit, ku theksoi se “kjo detyrë ka për qëllim ndryshimin rrënjësor të shpejtë dhe energjik të pamjes së këtij vendi, që shëmtohet në mënyrën më të pamerituar nga mijëra skelete makinash të hedhura në të katër anët e vendit, pa asnjë kriter dhe asnjë përgjegjësi. Kjo përbën paraqitjen më të keqe për miliona turistë, që vijnë për të kaluar pushimet në Shqipëri. Mund të ecni mijëra apo edhe dhjetëra mijëra kilometra në rrugët e Evropës dhe një situatë si kjo, në Shqipëri nuk e gjeni”. Ai kritikoi në të njëjtën kohë qëndrimin indiferent të pushtetit vendor për pastrimin e territorit. Kryeministri Berisha tha se duhet të ndërmerret një pastrim i përgjithshëm i territorit, në funksion edhe të përgatitjes këtë vit, të sezonit turistik më të fuqishëm që vendi ka njohur. “Këtë vit Ministria e Turizmit ka shënjuar vende të caktuara, në të cilat po bën dhe do të bëjë promovimin. Ne e provojmë këtë si një risi, me shpresën se kjo do të funksionojë. Vitin e kaluar pati një rritje të papërmbajtur të numrit të turistëve dhe shpresojmë se edhe ky vit do të njohë një rritje të tillë. është e domosdoshme që të përcaktohen zonat e kampingjeve, të cilat të përcaktohen afër infrastrukturës”, theksoi Kryeministri. Në mbledhje u vendos që çdo varrezë makine e licencuar do të jetë e detyruar të largohet 5 kilometra nga çdo aks rrugor kombëtar ose rajonal.