Kodi Zgjedhor qetëson Flamurin
Antena brenda familjes
Flamuri është parë dje të festonte deri në orët e vona të natës. I gëzuar që më në fund puna e Kodit Zgjedhor u vu në vijë, ai kishte marrë lapsin dhe letrën dhe në çdo tavolinë bënte dhe zhbënte listën e re të deputetëve.
- Kaq më duhej mua, thoshte, tani e di vetë unë ç’bëj. Më kishte thënë ai burri, prit deri në nëntor, se pastaj kemi kohë. E kishte të qartë ai se ç’do bënte, po unë nuk ia kuptoja planin.
- Na thuaj me dy fjalë ç’do bëhet tani? - e pyeti “Antena”.
- Tani di unë ç’u bëj këtyre shkërdhatave që na kanë nxirë jetën. Do ta fillojmë njëherë me këta të Bamirit. Ta harrojnë listën tani. Të gjithë do t’i zëvendësojmë. Se ky Bamiri ka hapur fjalë që ka tridhjetë për qind të grupit. I thashë atij burrit. Meqë ai thotë që tridhjetë për qind e grupit është e tij, atëherë i bie që tridhjetë për qind e grupit janë kot. Meqë janë kot, unë them t’i vëmë gra. Kot se kot janë. Dhe ia bëra listën në vend, se donte të më vinte në pozitë të vështirë, ku të gjeja gratë. Po unë ia di stilin. E kisha gati listën e gjithë grave që punojnë me të. Ia vura përpara. U çudit.
- Sa mirë të ka shkuar mendja, - tha.
Ia kisha rreshtuar të gjitha, këshilltare, sekretare, përkthyese, çfarë ka përreth.
- E shkëlqyeshme lista, - më tha. - Kështu do t’ia bëjmë. Këta të Bamirit do t’i zëvendësojmë me gra. Po shiko një herë dhe këta tanët, se ka shumë firo dhe aty. Aq desha unë. Nxora listën e dytë. Ca nga këta që hiqen si intelektualë, i hoqa. I thashë p.sh., punën e këtij Mustafajt. - ǒe duam këtë? - i thashë. - Ka mbështetur dhe grevën. E vëmë të 29 në Tiranë dhe fusim te zona e tij Qukapin. Se e njeh Qukapin ai. U gëzua shumë.
- E njoh, - tha, - është alamet djali.
I thashë që kështu aktivizojmë dhe ata miqtë e tij të punojnë ca më shumë. Pastaj ia mora me radhë të gjithë këta që shkruajnë nëpër gazeta. Se këta janë të ndyrë. Bëjnë ç’bëjnë dhe ndonjë ditë kthehen kundër atij burrit. I thashë më mirë t’i heqim të gjithë. Po më shikonte i çuditur për kë e kisha fjalën. Unë në fakt e kisha për Preçin. Po ai mendoi se e kisha për Olldashin dhe Patozin. Jo, jo ata, i thashë, kanë dhënë prova që janë me ne. Ky tjetri është i lëkundur, për Preçin. Në fakt, nuk m’u duk entuziast dhe s’më dha asnjë shenjë.
Vazhdova më tej. Se kështu e provokoj atë unë që të mësoj se ç’mendon ai dhe pastaj të veproj.
Ia zura listën me radhë, nga Saranda në Shkodër. Listë krejt të re. Sa herë dyshonte për ndonjë, i thosha kam fol me Lul Bashën për këtë, se e njeh ai dhe më thoshte: “Mirë kalo”. Thashë në Gjirokastër të çojmë Pollon, Rulin dhe Kserën, se e kemi të fituar. “Mirë”, - më tha. Në Sarandë nuk dija kë t’i thoja. I thashë njëherë për atë Ben Qirjakon e Hipotekës, po ma preu shkurt. “Le se e njohin atje, - tha, - dhe pagujmë taksat e hipotekës dhe pronave”. Thashë ta vija në vend të atij Kollozit, se dhe ai me dy porta ka luajtur. Se për Leskajn as që bëhet fjalë, do zëvendësohet me grua. Ma la të hapur, po s’më dha fjalën për Qirjakon. Tani unë këta kisha si kryesor, Qirjakon, Qukapin dhe ndonjë nga këta biznesmenët që na kanë dhënë ndonjë lek. Por kam frikë se ata nuk i do ai. Për të tjerët jam gati ta bëj listën si do ai. Këtë punën e zëvendësimit të këtyre të Bamirit me femra ma pranoi. Jozefina u gëzua shumë që do ikin ata të Bamirit, po u mërzit shumë pse do zëvendësoheshin me femra.
Çka është kjo parti, - tha, - që heq burra-femna dhe vë femna-burra në vend të tyre? Duhet me gjet femna tamam. Kam me e ba vet listën e femrave, - tha, - dhe thirri zëdhënësen t’ia bënte.
Po e përgjithshmja është pozitive. Tani e di vetë se ç’bëj me listat. Apo ç’është dhe një fushatë qejfi. Se askush nuk e vret më mendjen a do fitojë a jo.