E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri e Bylykbashi në Londër



Aristir Lumezi

Dy hartuesit e Kodit aktual Zgjedhor, deputeti i PS, Damian Gjiknuri dhe shefi i kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi, do të jenë për katër ditë në Londër për reformën zgjedhore. OSBE dhe Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, e cila bashkëpunon me prezencën e OSBE-së në Tiranë, ka çuar në Londër një grup politikanësh, por edhe drejtues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarin dhe nënkryetaren si dhe përfaqësuesin e lartë të LSI-së, Edmond Panaritin, për të parë nga afër procesin e administrimit të zgjedhjeve në Britaninë e Madhe, pasi atje në datë 6 maj zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Mësohet se Britania aplikon të njëjtin sistem numërimi votash si në Shqipëri. Një praktikë që aplikohet prej katër vitesh mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, turi i kësaj radhe pritet të shërbejë edhe si eksperiencë, nga e cila mund të dalin dhe defektet e procesit të numërimit të votave në Shqipëri. Përfaqësuesit e delegacionit shqiptar, që nisin që nga eksponentët politikë e deri tek zbatuesit e Kodit Zgjedhor, do të duhet të përcaktojnë edhe ato pjesë të përmirësimeve që do të duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor shqiptar. Ky përfaqësim i ri i delegacionit shqiptar në Londër përcakton dhe përbërjen e komisioneve të ardhshme elektorale, ku përveç PS dhe PD, vendin e PSD dhe PR do ta zërë përfaqësuesi i LSI-së. Delegacioni do të udhëtojë bashkë me ambasadoren e Mbretërisë së Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham. Në Londër delegacioni shqiptar do të zhvillojë takime në Ministrinë Jashtme, zyrën për Evropën, seksionin që mbulon Shqipërinë, si dhe në Shoqërinë e Reformës Elektorale në Britani. Britania e Madhe zhvillon zgjedhjet e përgjithshme në 6 maj, ku përballë janë tre kandidatë të fortë, laburisti Gordon Brown, konservatori David Cameron dhe liberal demokrati Nick Clegg.
Reforma
Gjatë këtyre takimeve, pritet që kriza politike në Shqipëri që lidhen pikërisht me produktin e reformës zgjedhore të transmetohet edhe në Londër. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, pritet të përcjellë aty qëndrimin e PS se, pa bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe pa nxjerrë defektet e reformës, nuk mund të bëhen përmirësimet në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Por si kontribuues në programe të OSBE-së në Tiranë, Ministria e Jashtme britanike pritet të kërkojë nga përfaqësuesit e delegacionit shqiptar propozime rreth përmirësimeve që do t'i bëhen Kodit Zgjedhor shqiptar, i cili do të duhet të jetë gati për zgjedhjet e pushtetit vendor në pranverën e vitit të ardhshëm. Por kriza politike në Shqipëri pritet të zërë vend edhe në takimet që do të bëhen me zyrtarët e lartë britanikë, veçanërisht ata të fushës elektorale.

Të përndjekurit
Ish të përndjekurit politikë protestojnë kundër grevës së urisë së Partisë Socialiste. Dhjetëra ish të përndjekur kanë dalë dje para selisë së PS-së, ku i kanë bërë thirrje kësaj partie të heqë dorë nga greva. "Ne sot po protestojmë kundër atyre që flasin në emër të popullit, kundër atyre që na internuan dhe sot flasin në emrin tonë. Edi Rama duhet ta kuptojë që populli shqiptar nuk është vetëm ajo pjesë që e shoqëron atë. Shoqata e ish-të përndjekurve politikë është konseguente në parimin e saj. PS nuk mbron të drejtat tona dhe as bllokmenët nuk mund të na mbrojnë ne. Të drejtat tona i mbron e djathta shqiptare, i mbron Partia Demokratike, që i kemi dhënë votën tonë", thuhet në një deklaratë për shtyp të ish-të përndjekurve, sipas të cilëve PS nuk mund të përfaqësojë këtë shtresë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›