E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Konferenca e Kryetarëve: Të hënën, mbledhja speciale

Topalli thërret seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit: E ka kërkuar opozita

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli caktuar seancën e ditës së hënës si mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit për të diskutuar situatën pas përmbytjeve në Shkodër. Kreu i legjislativit, ka mbledhur në mënyrë “blitz” konferencën e kryetarëve dhe ka caktuar rendin e ditës së seancës së nesërme, duke ia vënë në kurriz propozimin deputetëve të opozitës. Edhe pse nuk ka asnjë qëndrim zyrtar nga Partia Socialiste, Topalli ka përfituar nga një deklaratë në mënyrën kushtore të dhënë nga deputeti Ilir Beqja në emisionin “Top Story” për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, është shpërndarë një njoftim telegrafik për mediat, në të cilin thuhet: “Në përgjigje të kërkesës së deputetëve të opozitës për seancë të jashtëzakonshme, u mblodh Konferenca e Kryetarëve, e cila vendosi që ditën e hënë, datë 18 janar 2010, ora 17.00 do të zhvillohet seancë plenare vetëm për situatën e përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës”. Kreu i Kuvendit, Jozefina Topalli, e pyetur se nga ku e ka marrë propozimin e opozitës, të cilën e ka futur edhe në vendimin zyrtar tha shkurt: “Ka qenë publike”. Ndërkaq, Topalli u është kthyer edhe njëherë letrave që u ka dërguar 65 parlamentarëve të Partisë Socialiste, ku i fton t'i japin fund bojkotit e duke i paralajmëruar se mandati i tyre digjet nëse nuk bëjnë betimin deri më 6 mars. Në një prononcim për shtyp pas Konferencës së Kryetarëve, zonja Topalli deklaroi se veprimi i saj ka qenë institucional e njerëzor dhe se deputetët e PS-së duhet të ushtrojnë detyrën e tyre si deputetë në mënyrë individuale. “Komunikimi im përmes letrës ka qenë institucional. Ftesa ka qenë institucionale. Nuk ka qenë një ftesë as për cirkun e Tiranës, as për klubin e rrenave. çështja e mandateve është çështje e deputetëve, nuk është çështje e subjekteve politike. Betimi është individual, vota është individuale, mandati i deputetit është personal dhe detyrimi i tyre është që ta ushtrojnë këtë mandat. Unë kam qenë shumë korrekte dhe institucionale, por kam qenë dhe po aq e njerëzishme, duke i dërguar secilit prej tyre me respektin që i takon si deputet që KQZ i kanë dhënë mandatin”. Në letrën e saj dërguar dy ditë më parë deputetëve të PS-së, Topalli saktësonte se më datë 6 mars mbushen 6 muaj nga mbledhja e Parlamentit të ri. Në letër ajo informonte deputetët e opozitës për datat e seancave të Parlamentit dhe shkruan se në këto seanca këta deputetë, kanë mundësi të ndërpresin bojkotin e të mos lejojnë mbarimin e mandatit për shkak të mosbërjes së betimit apo të mospjesëmarrjes në punimet e Parlamentit për 6 muaj rresht, siç parashikon Kushtetuta. “Kushtetuta është e qartë në afatin, në mbarimin apo bërjen e mandateve të paligjshme. Rregullat nuk i bëj unë, unë zbatoj rregullat. Rregullat janë votuar me konsensus të shkruar nga zoti Rama nga deputetë të PS-së dhe të votuara me një numër votash më të mëdha sesa janë votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara përsëri nga deputetë të PS-së”, deklaroi dje zonja Topalli, e cila informoi gjithashtu se nesër do të zhvillohet seanca e jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve në Shkodër.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›