Greva ne Greqi, pezullohen sot te gjitha fluturimet
ATHINE- Në Greqi, të gjitha fluturimet për sot janë pezulluar për shkak se kontrollorët e trafikut ajror i janë bashkuar grevës njëditëshe kundër planeve të qeverisë për ngrirjen e pagave në sektorin publik. Mësuesit, punonjësit e hekurudhave, mjekët dhe infermieret marrin pjesë në grevën e sotme, e cila është organizuar nga sindikata kryesore e punonjësve të sektorit publik. Greqia po përpiqet të dalë nga një krizë e rëndë financiare duke pakësuar borxhin e saj gjigand. Qeveria e drejtuar nga socialistët shpalli dje plane për të rritur moshën e pensionit gjë që do të kursente para për pensionet. Kryeministri Jorgos Papandreu tha se detyra parësore e qeverisë së tij është shpëtimi i ekonomisë dhe pakësimi i borxhit publik duke mbrojtur njëkohësisht klasën e mesme dhe atë me të ardhura më të ulta. Zyrtarët e Bashkimit Europian shqetësohen se kriza financiare greke do të ndikojë negativisht mbi vlerën e Euros, monedha që përdoret nga 16 vende anëtare të BE-s. (VOA/Balkanweb)