Një kohë përmes një prerje reflektive
Një rekurs i munguar i individit në mbrojtje të demokracisë ndaj së keqes social-politike.Shënime për librin e z. Enver MemishajEdhe pse ndodhemi pranë kapërcimit të dy dekadave të përmbysjes së diktaturës komuniste ende shqiptarët nuk po arrijnë të shijojnë kolektivisht shijet e demokracisë së ëndërruar dhe shtetit të së drejtës. Këtij shqetësimi mëse qytetar, mbetjes së “korbave” dhe klithmave të tyre, i referohet studiuesi dhe autori i mirënjohur Enver Memishaj me libri e tij të fundit: “Përballë klithmave të korbave”. Në këtë lundrim të gjatë dhe të lodhshëm, për ti sjellë lexuesit me fakte ato të vërteta historike, që përveçse përshkojnë këtë tranzicion të tejzgjatur, ashtu edhe ngarkesat jo vetëm mendore, por edhe të armatës së ish-nomenklaturës komuniste të regjimit të kaluar. është ky udhëtim që na eksploron atë që rrallë e shohim. Sepse nuk duhet ti neglizhojmë këto fantazma, por edhe korba që organizohen dhe shumohen çdo ditë e më tepër për të minuar demokracinë e sapolindur, duke mbjellë ngado anarki sociale. Viti i mbrapshtë ’97, kur një pjesë e shqiptarëve të frymëzuar nga perversiteti i politikës “Made in Albania”, dogjën dhe shkatëruan banka, bashki, biblioteka, arkiva, hipoteka, shkolla, reparte ushtarake e institutucione të tjera të shtetit ku për pak rrokën armët kundër pjesës tjetër, në prag të barabarisë kolektive e të luftës civile, përbën një dosje të zezë e të turpshme, jo vetëm për vlonjatët, por për gjithë kombin shqiptar. Në këtë dosje, edhe pse shumë analistë, gazetarë, njerëz publikë e me kontribute, tashmë kanë ngjyer penën e rrëfimit duke prezantuar variantet e tyre, ka ende mister, mjegull e keqkuptim. Ka ende korba që rendin dhunshëm pas pushtetit dhe historisë, të fshehin dhe manipulojnë të vërtetën. Një protagonist aktiv i shërbimit sekret të Vlorës në vitin ’96, Enver Memishaj (Lepenica) merr përsipër të ndriçojë disa prej të vërtetave të fshehura në “Kutinë e Pandorës”, duke na dhënë varantin e tij mjaft të besueshëm e original të zhvillimit të kësaj historie të (zh)veshur, sipas rastit, me mantelin e partisë në pushtet. Në librin e tij të ri “Përballë klithmave të korbave”, botim i “MIGEERALB”, me anë të shkrimeve të botuara në shtypin e përditshëm të Tiranës, me replikat, vëzhgimet dhe analizat e tij, autori, synon të hedhë dritë mbi rrethanat, labirinthet dhe kuintat misterioze, ku nisën dhe përvijuan rrugën e tyre të mbrapshtë ngjarjet e vitit 1997, ku e gjetëm veten viktimë të instinkteve më të ulëta njerëzore, atyre kriminale, të cilat dirigjoheshin nga një dorë e vogël banditësh të rrugëve dhe horrash politikë. Vlora, qyteti ku autori ka qenë atë kohë shefi i SHIK-ut, është epiqendëra e këtyre zhvillimeve dramatike që sollën me vete ortekun e të keqes sonë kombëtare, duke marrë me vete dhe shkatërruar gjërat më të bukura që patëm ndërtuar me mund e djersë përgjatë afro një shekulli, shtetin në embrion të së drejtës dhe vetë startin e lirisë. Personazhet që merr nën “komandë” Memishaj, duke udhëtuar në Vlorën e tij, si pjesë e përkohshme e gjeopolitikës europiane të shndërruar në një vend kaotik nga revolucioni i kriptopiramidave financiare, janë nga të gjitha ngjyrat dhe përkatësitë, me skalione: xhelatë, mbrojtës të së kaluarës apo pjesë e vuajtjeve, persekutimit dhe dhimbjeve gjysëmshekullore të individit dhe shoqërisë në diktaturë të këtij vendi. është vlerë shoqërore e autorit, mënyra e tij e veçantë dhe e pakursyer për të replikuar me çdo kënd që tenton të manipulojë të vërtetën apo të sulmojë lirinë. Ky është një rekurs i munguar i individit dhe shoqërisë sonë për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat shqiptare që nuk mund të mbijetojnë pa konseguencën e duhur kundër të keqes sociale e politike dhe bartësve të tyre që tentojnë të pushtojë gjithë hapësirën e kësaj shoqërie. Aftësia e Memishës për të replikuar, për të mbrojtur ato që ai i quan të vërteta të kohës dhe dokumenta të një historie të pashkruar siç duhet, bën që në filtrin e tij publicistik të bien personazhe, ngjarje e bëma që e shqetësojnë atë si qytetar dhe krijues me vetëdije të plotë. Memisha vëzhgon, replikon, analizon, përgjithëson ngjarje e dukuri, ngrihet kundër shpifjes e manipulimit, kundër dogmave dhe dogmatikëve, duke na ofruar një mënyrë interesante të këndvështrimit të gjërave, mënyrë që në fakt është rruga e vetme e gjetjes dhe fokusimit të së vërtetës. Autori e mbyll librin duke udhëtuar këndshëm deri në fund me personazhet, bashkëkohësit dhe bashkëpunëtorët e tij të shumtë, për të përshkruar grimca jete nga fshati i tij Lepenica, kësaj treve legjendare të qëndresës dhe heroizmit, që në emër të vlerave të lirisë dhe të kombit, u sakrifikua në grackën e dogmave të një kohe të marrë peng, duke iu persekutuar bijtë më në zë, ata që ndezën zjarrin e Prometeut të lirë. Një dhimbje që vazhdon të përjetohet akoma, ku rinia e vendit ka marrë udhët e kurbetit pë r të shëruar sadopak plagët e mjerimit ekonomik që trashëguam nga sistemi komunist, por dhe të besimit dhe shpresës që autori jep si mesazh se: Shqipërinë do ta shpëtojnë vetë shqiptarët. ...