Konsensus për tryezën, por Edvini kërcënon me krizë permanente

Ditën kur presidenti i republikës siguron konsensusin për institucionalizimin e tryezës politike të shtunën e 13 shkurtit, një deputet i Edvinit del në konferencë shtypi dhe deklaron se tryeza nuk e zgjidh ngërçin e se ajo vetëm do të shërbente për një stacion tjetër të destabilizimit politik. Teoria e krizës permanente po vë në siklet institucionin e presidencës, por po u sqaron të gjithë shqiptarëve se ç’mund të presin nga Edvin Kriza Tryeza e dialogut mes kreut demokrat Sali Berisha dhe atij socialist Edi Rama do të zhvillohet në fundjavë, ditën e shtunë në orën 11 paradite në Presidencë. Në një njoftim për shtyp të zyrës së presidentit bëhet me dije se vendimi është marrë nga kreu i shtetit pas takimeve me ambasadorët Lohan, Montobio dhe ëithërs në ditën e djeshme. Po ashtu presidenti ka marrë konfirmimin e dy politikanëve kryesore Berisha e Rama, të cilët nëse arrijnë një marrëveshje në tryezën e kreut të shtetit do të thotë që kriza politike e nisur që pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit të kaluar të marrë fund dhe opozita të hyjë në kuvend. Tryeza ende nuk ka një rend dite, megjithatë shpresat janë të vakëta, për shkak të vendosmërisë së Edi Ramës për të luajtur me shantazhin e protestave, edhe pse rezoluta e Këshillit të Evropës kërkon ndërprerjen e menjëhershme të bojkotit dhe lejimin e deputetëve socialistë që të kthehen në parlament. Ditën kur presidenti Bamir Topi njoftonte se kishte garantuar konsensusin për datën e mbajtjes së tryezës (por jo për rendin e ditës në fakt), deputeti në tentativë i PS-së Saimir Tahiri nxitoi të deklarojë se s’kishte kurrfarë marrëveshjeje për fundin e bojkotit, se tryeza e dialogut nuk e zgjidhte krizën dhe se pas kësaj tryeze veç do të kalohej në një fazë tjetër të përplasjes politike, sipas revolucionit permanent, ideologjisë që beson Edvini sot e gjithë ditën. “Vetë tryeza e dialogut, të cilën Sali Berisha vazhdon ta anashkalojë me pretekste që në të vërtetë nuk kanë të bëjnë as me Kushtetutën e as me Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk zgjidh përfundimisht as krizën e demokracisë e shtetit ligjor, as krizën institucionale e as krizën ekonomike, por vetëm i hap rrugë zgjidhjes përfundimtare duke vendosur në themel garantimin e votës së lirë”, theksoi dje në mënyrë shkurajuese “deputeti” Tahiri. Deklaron zëdhënësja e PD-së: “PD do firmosë çdo dokument që jetëson rezolutën e KiE”/Partia Demokratike reagoi dje ndaj akuzave të Partisë Socialiste, se mazhoranca ka kushtëzuar tryezën e Presidentit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, u shpreh se Edvin Kristaq Rama nga njëra anë jep ultimatume dhe kërcënon për protesta, ndërsa nga ana tjetër shpif dhe trillon se Berisha po kushtëzon tryezën. “Edvin Kristaq Rama nga njëra anë jep ultimatume dhe kërcënon për protesta, nga ana tjetër shpif dhe trillon se Berisha po kushtëzon tryezën. Jam sot këtu për të deklaruar në emër të Partisë Demokratike, për të ripohuar edhe një herë atë që ka deklaruar Kryeministri i vendit dhe Kryetari i PD-së Sali Berisha se mazhoranca aktuale mbështet pikë për pikë Rezolutën e Këshillit të Evropës dhe është e gatshme për shndërrimin e të gjitha kërkesave të saj në realitet. Pretendimet e Partisë Socialiste se Berisha kushtëzon tryezën te Presidenti, janë thjesht një formë për të maskuar interpretimin kokëposhte të Rezolutë së KE, sikur ajo përfaqëson një dokument që shpërblen bojkotin”, u shpreh zëdhënësja Mëhilli. Ajo vuri në dukje se Partia Demokratike rikonfirmon qëndrimin dhe është e gatshme në çdo kohë të firmosë çdo dokument që jetëson kërkesat e Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës....