E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembulli që po jep qeverisja qendrore në jetësimin e autonomisë së pushtetit vendor

Qeverisja demokratike gjatë gjithë mandatit të saj i ka kushtuar vëmendje të veçantë  zhvillimit të Bashkisë Lushnje si edhe të gjithë trevës së Myzeqesë. Për  Shqipërinë, dhe për Lushnjën e lushnjarët në veçanti, z.Berisha ka treguar veten si një burrë i madh shteti që di ta mbajë fjalën e dhënë. Në prag të zgjedhjeve të vitit 2005, Prof.Dr. Sali Berisha dha premtimin para elektoratit të zonës 64 në Lushnjë, se shumë shpejt Lushnja do të ishte prefekturë, një kërkesë e kahershme e banorëve lushnjarë. Dhe ja si janë egzaktësisht fjalët e tij: “Unë ju premtoj gjithashtu se Lushnja së shpejti do të jetë prefekturë... që ju të mos sorollateni deri në Fier për të marrë një dokument apo për të zgjidhur një problem. Këtë jua premtoj dhe do ta mbaj premtimin”. Sot është fakt që nënprefektura Lushnje ka të gjitha atributet juridike-institucionale të një prefekture. Kuptohet që tërësia territoriale nuk mund të ndryshojë pasi kjo do të kërkonte ndarjen e re administrative të të gjithë Shqipërisë. Cili drejtues shteti ka bërë më shumë për Lushnjen në këtë fazë të tranzicionit? Kjo është një nga arsyet madhore që qytetarët lushnjarë, janë dhe do të mbeten në mbështetje të alternativës së Partisë Demokratike.Por ka arsye dhe fakte të tjera. Tashmë shqiptarët janë të bindur se dr. Berisha kërkon stabilizimin e vendit dhe rrjedhimisht është kundër bojkotit e protestave; shqiptarët janë të bindur se z. Berisha është i përkushtuar deri në fund që pushteti lokal t’u shërbejë vetëm qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia partiake. Dhe kështu, në Mars 2009, pas ndryshimit të raporteve në disa këshilla bashkiakë, si pasojë e koalicionit PD- LSI, kryeministri Berisha u kërkoi këshilltarëve në maxhorancë që të mos bëheshin pengesë për miratimin e buxheteve në ato bashki ku kryetari i përkiste opozitës. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha kërkoi në të njëjtën kohë nga kryebashkiakët të negocionin me këshillat për prioritetet e buxhetit. Po citoj fjalët me të cilat u shpreh z.Berisha: “Qëndrimi i Kryeministrit dhe i maxhorancës është që zgjedhja për krijimin e maxhorancave te reja të mos mendojmë se mund të përdoret për bllokimin e pushtetit vendor. Maxhorancën ta përdorim për një shkallë shumë më të lartë përgjegjësie ndaj qytetarit, për të mbushur sa më mirë kërkesat e tyre”. Më tej vazhdoi: “Ĕshtë një thirrje e imja, po kaq miqësore, ndaj kryetarëve të bashkive dhe të komunave që kanë rënë në minorancë, që ata të kuptojnë se buxheti duhet të vendoset mbi bazën e  dialogut dhe kompromisit, mbi bazën e qeverisjes vendore, sepse ky është një rregull i demokracisë botërore dhe nuk është vetëm i Shqipërisë. është në interesin e tyre më të mirë që të ulen dhe të negociojnë për buxhetin që do të kalojnë në parlamentet vendore, të gjejnë kompromiset e mundshme dhe të vazhdojnë të qeverisin”. I njëjti fenomen ndodhi edhe ne bashkinë Lushnje; maxhoranca PD plus LSI e ndryshoi raportin e shumicës dhe ky fenomen rezultoi vetëm me ndryshimin e kryesisë së këshillit bashkiak, por për problemet e tjera vendimmarrëse në interes të komunitetit, kjo maxhorancë është treguar e matur, e pa paragjykuar, duke zbatuar legjislacionin në fuqi, por edhe porosinë e kryeministrit Berisha për konstruktivitet. Kohët e fundit po bëhet shumë zhurmë dhe po pretendohet nga një grup përfaqësuesish vendorë të majtë (jo nga të gjithë, kuptohet), se qeveria e sotme po mban një qëndrim mospërfillës ndaj pushtetit lokal, duke pretenduar se nuk po e mbështet atë aq sa duhet me fonde publike. Madje me iniciativën e z.Rama, ata krijuan edhe një shoqatë të autonomisë vendore, duke shpërfillur Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë (SH.B.SH), e cila ishte dhe është simbol i unitetit të pushtetit lokal. është qesharake të predikosh politika “përtej të majtës dhe të djathtës” e pastaj të ngresh një shoqatë thellësisht partiake të majtë të tipit stalinist, vetëm me kryetarë bashkish të majtë. Në këtë veprim  nuk ka asgjë të kundraligjshme por ka shumë amoralitet, njëkohësisht veprim me dëshirë për të krijuar një perde të hekurt midis lokalëve të majtë e të djathtë. Më poshtë janë të gjitha të dhënat për t’i kundërshtuar pretendimet e drejtuesve lokalë të majtë dhe për t’u përgjigjur saktë me shifra e për të treguar realisht se çfarë është bërë. Së pari duhet të theksohet se buxheti i qeverisë qëndrore për pushtetin lokal është rritur me një ritëm më të lartë në raport me buxhetin e krijuar nga të ardhurat e vetë qeverisjes qendrore. Grandet e pakushtëzuara (dmth para që jepen nga qeveria qendrore për pushtetin lokal dhe ato janë të lira të përdoren nga vetë njësitë vendore) në vitin 2005 në nivel kombëtar kanë qenë afërsisht 7 miliard  lekë. Në vitin 2009 kanë qenë 12 miliardë lekë, pra ka patur një rritje prej rreth 40% e grandeve që qeveria qendrore i ka ofruar pushtetit lokal. Ta shikojmë se si paraqitet kjo pjesë e buxhetit për bashkinë  Lushnje. Po i referohemi  vitit 2006, kur grandi ka qenë afro 107 milion lekë, ndërsa për vitin 2009, grandi i qeverisë “Berisha” për Lushnjen ka qenë më tepër se 140 milion lekë, dhe e përllogaritur  del rreth 32% më shumë se para tre vitesh. Shifrat e japin mesazhin shumë pastër dhe për këtë kundërshtarët opozitarë nuk kanë gojë të flasin e të mbështesin tymnajat e kryetarit të tyre. Grandet konkurruese (fonde që përfitohen nëpërmjet projekteve që paraqesin njësitë vendore) kanë qënë një mjet për përdorimin më efektiv dhe më eficient të fondeve publike dhe në vitin 2005 nga këto grande në të gjithë Shqipërinë janë bërë 8.3 miliard lekë investime, ndërsa në vitin 2009 nga grandet konkurruese janë bërë rreth 18 miliard  lekë investime për pushtetin lokal, pothuajse 2 herë e ca më shumë. Për bashkinë Lushnje  për vitin 2006 granti konkurues për investime ka qenë afersisht 9 milionë lekë, ndërsa vetëm për vitin 2008 janë akorduar 11 milionë lekë; edhe këtu rreth 20% më shumë. Granti i kushtëzuar (fonde që jepen nga qeveria qëndrore me destinacion të përcaktuar), për bashkinë Lushnjë, në vitin 2006, ishte afërsisht 11 milionë lekë, në vitin 2007 afërsisht 12 milionë lekë, ndërsa në vitin 2008 kjo shumë u rrit në rreth 47 milionë lekë. Nuk mund të bëhet më tepër koment. Në nivel kombëtar, nga të ardhurat e bashkive (të ardhurat e taksave të veta dhe grandet e pakushtëzuara që jep qeveria qendrore), gjatë vitit 2005 janë bërë 5.4 miliard lekë investime publike, kurse në vitin 2009 janë bërë më pak se 1 miliard lekë investime publike, pra një rënie me mbi 5-6 herë e vëllimit të investimeve publike në bashki dhe komuna. Pra ka një rënie shumë të madhe të shifrave dhe ky fenomen dëshmon për një përdorim jo efikas të rritjes së fondeve që qeveria qendrore i ka dhënë pushtetit lokal. Sipas statistikave të mësipërme del që bashkitë dhe komunat e majta kanë marrë dyfishin e fondeve, grandeve nga qeveria qendrore. Kjo ka ndodhu  pasi ndarja e fondeve në qeverisjen e z.Berisha nuk ka pasur asnjëherë në konsideratë ndarje politike, por një ndarje në funksion të qytetarëve, ne funksion të zbutjes së varfërisë në zonat e izoluara pa mundësi vetëfinancimi të investimeve. Por fenomeni është rënduar pasi ka patur një  përdorim abuziv dhe jo efikas të fondeve publike, ku prioriteti i programeve të bashkive dhe të komunave pjesërisht ka qënë rritja e të punësuarve militantë, si dhe rritja e shpenzimeve operative, pra rritja shpenzimeve për funksionimin e  zyrave dhe për pagat e zyrtarëve. Në bashkinë Lushnjë, në vitin 2006, shpenzimet e aparatit administrativ kapnin shumën afërsisht 160 milion lekë; në vitin 2007 afërsisht 192 milion lekë, në vitin 2008 arritën në  226 milionë lekë; në vitin 2009 shifra u rrit në 240 milionë lekë. Edhe për këtë nuk ka koment më tepër për të bërë. Shifra e numra të tjerë tregojnë se nw qeverinw e Partisw Demokratike, nwn drejtimin e z.Berisha, me miliona lekë të tjera janë investuar në ujësjellësa, kanalizime, sisteme kullimi e vaditje, rrugë, shkolla e në fusha të tjera të jetës, pa marrë parasysh nëse drejtuesit e pushtetit lokal janë të majtë apo të djathtë. Këto janë tregues me elemente të tolerancës, mirëkuptimit e bashkëpunimit të qeverisjes demokratike për të cilat ky vend ka shumë nevojë, përkundrejt dasisë, bojkotit, protestave dhe politikës destabilizuese që ngre lidershipi i majtë, për të cilat shqiptarët vërtetë atdhetarë kanë vetëm përbuzje e neveri. Autori është ekspert lokal i Shoqatës së Bashkiakëve të Shqipërisë. Ka drejtuar bashkinë e Lushnjes për vitet 2003-2007...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›